Secondary Adv

Mbrojtja nga permbytjet, miliarda leke investime te parealizuara

 

Zero lekë ose në statusin “aspak” vlerësohen investimet në rehabilitimin e argjinaturave, rrjetet e përmirësuara të kanaleve ujitëse, ndërtime apo rikonstruksione hidrovorësh, deri në tetor 2014, kur nisin reshjet. Ndërsa, ishin planifikuar jo pak, por 2 miliardë e 81 milionë lekë. Për këto objekte Ministria e Bujqësisë kujtohet vetëm kur ndodhin përmbytje (kur bëhet bilanci i dëmeve).


Realizimi në fakt
Sipas monitorimit të buxhetit 2014, të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, për infrastrukturën ujore, nga 2081 milionë lekë janë shpenzuar vetëm 733 milionë lekë, ose 35% e planit. Ky është një nga programet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë që ofron shërbimin e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, si një nga faktorët e rëndësishëm me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit bujqësor.
Realizimi i shpenzimeve deri në tetor 2014, për këtë program, përfaqëson rreth 18 për qind të totalit të buxhetit fakt të kësaj ministrie. Por përse janë përdorur këto para?  Shpenzimet korrente zënë 72 për qind, ku hyjnë pagat dhe sigurimet shoqërore, si dhe shpenzimet operative. Ndërsa, investimet kapitale (më konkretisht, ndërtime digash e argjinaturash, hidrovoresh të reja, sistemeve të reja të kullimit, kanaleve ujitëse) janë realizuar në masën 9%.


Ecuria dhe pengesat
Nga shqyrtimi i ecurisë së shpenzimeve të aktiviteteve të produkteve të programit “Menaxhimi i Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes”, në 9-mujorin e vitit 2014 rezulton se, vazhdon procesi i realizimit të aktiviteteve (shpenzimet jashtë projekteve). Këto aktivitete kanë të bëjnë kryesisht me procesin e mirëmbajtjes së infrastrukturës kryesore të kullimit, ujitjes si dhe mbajtjen në gatishmëri të 28 hidrovorëve shoqëruar kjo me inspektimet e të gjithë infrastrukturës (diga, argjinatura hidrovor etj).


Deri në fillim të tetorit ishte realizuar rreth 80% e punimeve të mirëmbajtjes në ujitje dhe janë realizuar rreth 80% e punimeve të mirëmbajtjes në kullim, si dhe kishte përfunduar remonti i 28 hidrovorëve me përjashtim të hidrovorit të Çasit, i cili duhet të rehabilitohet tërësisht sipas kontratës së lidhur me një kompani private. Në lidhje me investimet ishin lidhur kontratat për 6 objekte të financuara me rialokimet e buxhetit dhe vazhdonin punimet. Ndërkaq, punimet në 5 objekte të financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, me vlerë rreth 56 milionë lekë, nuk kishin filluar deri në fund të vitit, në pritje të çeljes së fondit.
Ndërkaq, njëri nga investimet, Kaskada Vashtemi, me vlerë 56 milionë lekë, kishte mbetur i bllokuar për arsye të procesit gjyqësor që vazhdon ende. Sipas ministrisë, rrezikohet të realizohet financimi i kësaj kaskade.


Në letër
Ku janë këto vepra ujore?
Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes është një nga programet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Me këto lekë, sipas planit, duhej të bëhej rikonstruksioni i argjinaturave mbrojtëse në gjatësi 1175 m, ndërkohë duhej të rehabilitoheshin argjinatura të tjera me gjatësi 2233 metër, të mirëmbaheshin argjinaturat me gjatësi 9224 m, si dhe të ndërtoheshin 2939 metër argjinatura të reja; të rikonstruktohej një hidrovor dhe të mbaheshin në punë të tjerët që duhet të tërhiqnin rreth 7.9 miliardë m3 ujë; të pastroheshin 409 km kanale kulluese dhe të rehabilitoheshin kanale kulluese në një sipërfaqe 1200 ha; të pastroheshin 317 km kanale ujitëse; të rehabilitoheshin plotësisht 5 diga dhe të riparohej pjesërisht njëra nga digat e ujëmbledhësve.
Sipas monitorimit, për infrastrukturën ujore, nga 2.08 miliardë lekë janë shpenzuar vetëm 733 milionë lekë, pra 35%. Investimet kapitale (më konkretisht, ndërtime digash e argjinaturash, sisteme të kullimit) janë realizuar në masën 9%. Pjesa më e madhe janë shpenzimet, pagat dhe sigurimet shoqërore, si dhe shpenzimet operative, që zënë 72% të totalit.


Projektet
Ky është një nga programet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë që ofron ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytja.

Projekti                                                                      Në milionë  leke          Statusi/ Te realizuara
Rrjeti i kanaleve kullues i mirëmbajtur                          32.623.672                 Pjesërisht
Rrjeti i kanaleve ujitës i mirëmbajtur                            19.013.772                 Pjesërisht
Argjinatura të mirëmbajtura në mënyrë rutinë               282.279                     Pjesërisht
Shërbimi i kullimit me ngritje mekanike me hidrovore    32.022.370                 Pjesërisht
Inspektime teknike të sigurisë së digave                       5.480                         Pjesërisht
Inspektime teknike                                                     5.480                          Pjesërisht
Rrjete të përmirësuara të kanaleve të kullimit               1.100                          Aspak
Rrjete të kanaleve ujitëse të rehabilituara                     2.322.511                   Pjesërisht
Diga të rezervuarëve të rehabilituara pjesërisht            1.100                          Aspak
Diga të rezervuarëve të rehabilituara plotësisht             749.413                      Pjesërisht
Argjinatura të reja të ndërtuara                                   11.220                        Aspa
Argjinatura të rikonstruktuara                                      20.140                        Aspak
Argjinatura të rehabilituara                                          60.220                        Aspak
Hidrovore të rikonstruktuara dhe ripërshtatura              930                            Aspak
Totali                                                                         208.173.335                                    

Për vitin 2015, rritet 83%  fondi për investime në infrastrukturën ujore
Për vitin 2015, sipas Ministrisë së Bujqësisë, janë planifikuar më tepër fonde për  ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytja. Por rritjen më të madhe e ka zëri i investimeve për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të infrastrukturës. Kështu, nga 1.6 miliardë lekë që ishin në buxhetin e vitit 2014 për këto investime kapitale, për vitin 2015 janë parashikuar 2,9 miliardë lekë, pra me një rritje 83% më shumë se viti 2014.


Nëse do t’i referoheshim objektivit të vitit të kaluar, në fokus ka qenë ofrimi i shërbimeve ekonomike, të qëndrueshme dhe të besueshme të kullimit me gravitet për 20 000 ha. tokë bujqësore më shumë, në krahasim me sigurimin e këtyre shërbimeve gjatë vitit 2013. Gjithashtu premtohej ofrimi i shërbimeve ekonomike, të qëndrueshme dhe të besueshme të ujitjes për 12 000 ha tokë bujqësore më shumë sesa viti 2013. Ndërkaq, një objektiv tjetër ishte mbrojtja nga përmbytjet lumore e detare e përmirësuar me rreth 25 km argjinatura të rehabilituara, të ndërtuara, ose të mirëmbajtura. Në funksion të këtij synimi, do të sigurohej shërbim i sigurt i kullimit me ngritje mekanike me pompa  nga 28 hidrovorë për 75,000 ha. tokë bujqësore./Gazeta Shqip


Më të lexuarat