Secondary Adv

Rriten te ardhurat nga fasonet ne 2019: 219 mln euro per gjysmen e pare te vitit

Sektori i fasonëve i solli ekonomisë shqiptare 219 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. 

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të mallrave të porositësve jashtë vendit u rritën me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Puna me porosi është aktiviteti kryesor ku mbështeten eksportet shqiptare. Vetëm sektori “tekstile dhe këpucë” zë rreth 43% të eksporteve totale, por, po të kemi parasysh që aktiviteti fason është i shtrirë edhe në sektorë të tjerë, pesha e tij në eksporte është edhe më e lartë. Fasonët i rezistuan mirë dekadës së krizës dhe në dekadën e fundit përgënjeshtruan parashikimet për një perëndim gradual, si pasojë e konkurrencës nga tregjet e Azisë dhe Afrikës Veriore, ku krahu i punës është edhe më i lirë.

 

Një degë e rëndësishme e industrisë fasone është edhe përpunimi i produkteve të detit dhe sidomos i açugeve. Fasoneria ka hyrë edhe në degë më specifike dhe që kërkojnë një shkallë relativisht të lartë specializimi, si, për shembull, elektromotorrët. Në total, ekonomia shqiptare përfitoi në gjysmën e parë të vitit 2019, 554 milionë euro nga shërbimet e eksportuara. Pjesën kryesore të këtyre të ardhurave e sollën turizmi dhe fasonët. Megjithatë, deficit i llogarisë korrente të vendit këtë vit është përkeqësuar ndjeshëm, për shkak të përkeqësimit të bilancit në tregtinë e mallrave. Deficiti arriti në 517 milionë euro, në rritje me gati 50% krahasuar me një vit më parë. Besohet se ndikimin kryesor e ka dhënë sektori energjetik, ku rënia drastike e prodhimit ka stopuar eksportet dhe ka rritur ndjeshëm importet./Scan


Më të lexuarat