Secondary Adv

Vetepunesimi ne krize: Bie ndjeshem pesha ne punesim edhe ne 2019

Vetëpunësimi në vendin tonë ka hyrë në një cikël krize, për shkak të rregullimeve strukturore të tregjeve dhe politikave fiskale jo të favorshme.

 

Në tremujorin e parë të vitit 2019, të vetëpunësurit, si përqindje në totalin e të punësuarve gjithsej, shënuan rënie, e cila ka vijuar në mënyrë sistematike vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit, të vetëpunësuarit zunë 32.6% të totalit të të punësuarve në vend nga 33.4% në tremujorin e fundit të vitit 2018, ndërsa shënuan rënie me 2% në raport me tremujorin e parë të vitit 2018. Sipas të dhënave zyrtare, në total, ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i parë i vitit 2018 në tremujorin e parë të vitit 2019, është 1,4%, ndërsa ka rënë me 2% për të vetëpunësurit. Në terma vjetorë, sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë, punësimi rritet me 3,0% në sektorin e industrisë dhe 3,6% në sektorin e shërbimeve, ndërsa në sektorin e bujqësisë shënon ulje me 1,8%. 

 

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0,6%. Punësimi shënoi rritje në sektorin e shërbimeve me 0,8% dhe në sektorin e industrisë me 1,1%, ndërsa në sektorin e bujqësisë mbeti në të njëjtin nivel. Rënia ka qenë e vlefshme vetëm për vetëpunësimin, i cili ka pësuar rënie vjetore me 2% në tremujorin e parë 2019. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2018, numri i të vetëpunësuarve që paguan sigurime shoqërore shënoi 86 mijë e 796 persona nga 110,477 persona që ishin më 2017, duke shënuar rënie me 23,676 persona, ose 21% më pak se një vit më parë. Vetëpunësimi dominohet nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve dhe për vite me radhë ka qenë promotori i punësimit në vend, teksa ekonomia e centralizuar u shemb për t’u orientuar drejt tregut.

 

Por vitet e fundit, avancimi i supermarketeve dhe qendrave tregtare, bashkë me aksionet kundër informalitetit, i kanë vënë në vështirësi të vetëpunësuarit që kishin si avantazh kryesor informalitetin. Nga viti 2015, që kur nisi një aksion kundër informalitetit, numri i të vetëpunësuarve u rrit, por më pas ata nuk mundën të mbijetonin, ndaj numri i këtyre po bie me shpejtësi. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një normë shumë të lartë të vetëpunësimit. Në rajon, pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit të të vetëpunësuarve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, përllogaritet 23.5%. Në vend të tretë, për normë të lartë vetëpunësimi, renditet Serbia, ku përqindja e të vetëpunësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetëpunësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë.

 

Mali i Zi e ndjek me një diferencë të vogël për sa i përket vetëpunësimit, i cili llogarit se 19.1% e të punësuarve janë të vetëpunësuar, sipas Zyrës Statistikore të Malit të Zi. Maqedonia dhe Bosnja kanë një normë më të ulët të vetëpunësimit, me përkatësisht 12.8% dhe 12.7%, sipas statistikave zyrtare. Shqipërisë i mungojnë ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar me Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës, (në Shqipëri numërohen rreth 108 mijë ndërmarrje aktive në fund 2017). Për krahasim, Maqedonia, sipas statistikave zyrtare, ka 233 kompani me më shumë se 250 të punësuar, nga të cilat 70 janë në sektorin e industrisë përpunuese (në Maqedoni kishte gjithsej 71.5 mijë ndërmarrje në fund të 2016-s, sipas statistikave zyrtare)./Monitor


Më të lexuarat