Secondary Adv

Hapet gara per mirembajtjen e aksit Berat-Corovode: Fondi i prokurimit 12.3 mln leke

Share on Google+

Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër ka hapur garën për mirëmbajtjen rutinë të aksit rrugor Berat-Çorovodë me gjatësi 49.3 kilometra. 

 

Fondi limit i përcaktuar është 12.3 milion lekë ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Afati kohor për dorëzimin e ofertave është 31 tetori i vitit 2019. “Arsyeja e përzgjedhjes së Marrëveshjes Kuadër me 1 Operator Ekonomik, kur të gjitha kushtet janë të përcaktuara, për procedurën e prokurimit: “Mirembajtje rutine me performance aksi rrugor Berat – Corovode 49,3 km” është se objekti i prokurimit është shërbim i përsëritur dhe i vazhdueshëm dhe për arsye teknike dhe organizative levrimi i shërbimit nga operatorë ekonomikë të ndryshëm nuk është i favorshëm duke i shkaktuar vështirësi autoritetit kontraktor dhe kosto shtesë” shkruhet në dokumentet e shpalljes.

 

Bazuar në rekomandimet e APP, është përzgjedhur lloj i procedurës Marrëveshje Kuadër – me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara. Aksi rrugor Berat -Çorovodë kalon në një terren kryesisht kodrinor –malor , kalon përgjatë luginës së lumit Osum  dhe është alternativa e vetme rrugore nacionale  që lidh Rrethin e Beratit me rrethin e Çorovodës. Aksi rrugor Berat –Çorovodë  me gjatësi 49,3km  është në gjendje të kënaqshme. Ky aks fillimisht është ndërtuar para viteve 1930 me gjerësi të kufizuar (3m). Më vonë, gjatë viteve 1950-‘60 është bërë zgjerimi i rrugës dhe mbas viteve ‘75 janë ndërtuar veprat e artit(mure mbajtëse,prites,ura,tombino) dhe ka filluar shtrimi me asfaltobeton i saj.

 

Mbas viteve ‘90 janë bërë investime të pjesshme kryesisht në shtresat rrugore dhe në veprat e artit . Ështe  aks rrugor me një karrexhatë dhe me dy kahe lëvizjeje. Aktiviteti i mirëmbajtjes së rrugëve nacionale përpara vitit 2013 realizohej nga vetë Drejtoria  nëpërmjet Sektorëve të Mirëmbajtjes me fuqi punëtore dhe me makineri. Pas vitit 2013, mirëmbajtja e rrugëve realizohet nëpërmjet Kontratave të Mirëmbajtjes Rutinë e Dimërore me Performancë. Këto kontrata përbëjnë një model të ri të menaxhimit të aktivitetit të mirëmbajtjes së rrugëve. Mirëmbajtja e rrugëve tani realizohet nëpërmjet Kontratave të Mirëmbajtjes Rutinë e Dimërore me Performancë. Këto kontrata fillimisht në vendin tonë janë aplikuar nga Banka Botërore për një periudhë 5-vjeçare.

 

Pas përfundimit të këtij projekti ky model kontratash është përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe në Drejtoritë Rajonale Rrugore për t’u zbatuar në të ardhmen. Aplikimi i këtyre Kontratave përbën një projekt strategjik për të ardhmen në fushën e menaxhimit të aktivitetit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale. Këto lloj kontratash janë përdorur dhe kanë rezultuar të suksesshme në disa vende të Bashkimit Europian. Duke u mbështetur në këtë eksperiencë dhe me asistencën teknike të partnerëve ndërkombëtare këto lloj kontratash kanë filluar të zbatohen edhe në vendin tonë./Scan


Më të lexuarat