Secondary Adv

Paradoksi me tregun e pronave: Rritet kredia, por ulet perqindja e pronave te shitura me kredi

Ndërkohë që kredia për shtëpi po rritet, firmat e ndërtimit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme raportojnë përqindje më të ulët të pronave që shiten me kredi bankare. 

 

Të dhënat nga vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë, treguan se në gjysmën e parë të këtij viti 46% e pronave u shitën me kredi bankare, ndërkohë që në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar kjo shifër kishte qenë 75%. Ulja e ndjeshme e këtij treguesi është e vështirë për t’u shpjeguar, në kushtet kur statistikat zyrtare tregojnë se kredia për blerjen e pronave vazhdon të jetë në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit 2019, teprica e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me rreth 3% dhe arriti në 113 miliardë lekë. Të dhënat që dalin nga vrojtimet mund të kenë marzhe të konsiderueshme pasaktësie, sidomos kur bëhet fjalë për shifrat e raportuara nga të intervistuarit.

 

Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte. Subjektet e zgjedhura janë agjentë mobiliar dhe shoqëri ndërtimi, shitjet e të cilëve përfaqësojnë rreth 80% të xhiros së tregut. Gjatë 12 muajve të fundit nuk duket të ketë shtrëngime domethënëse të kreditimit për shtëpi dhe rritja sasiore e portofolit e dëshmon këtë. Nga ana tjetër, nëse më pak se gjysma e pronave shiten me kredi, kjo ngre pikëpyetje lidhur me burimet e financimit të pjesës më të madhe të blerjeve. 

 

Për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare, blerja e një prone vetëm me kursimet e veta do të ishte e pamundur, ndërsa të ardhurat nga burimet e jashtme, kryesisht remitancat, prej vitesh paraqiten të stabilizuara dhe nuk ka luhatje domethënëse në kahun rritës të tyre. Historikisht, edhe paratë nga aktivitetet e jashtëligjshme janë investuar në mënyrë masive në tregun e pasurive të paluajtshme. Ndoshta forcimi i masave që vështirësojnë futjen e këtyre parave në sistemin bankar mund të ketë shtyrë në rritje të investimit të tyre në prona./Scan


Më të lexuarat