Pagesat me bono per cdo zone, shtyhet edhe 2 vjet afati per legalizimet
Bonot e privatizimit do të jenë të vlefshme deri në fund të vitit 2016. Shtyrja e afatit të vlefshmërisë është shoqëruar edhe me zgjerimin e fushave ku mund të investohen.
Pagesa e truallit për ndërtimet informale, lehtësira për ish-pronarët duke likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve në rast parablerjeje, investimet në privatizimin e objekteve shtetërore janë fushat kryesore ku mund të investohen bonot e privatizimit. Ministria e Financave ka hartuar një draft, i cili ka mbërritur për shqyrtim në Kuvend, ku parashikohet jo vetëm shtyrja e afatit por edhe fushat e zbatimit. Personat që kanë ndërtuar në tokën e shtetit ose në tokën e të tretëve janë përfituesit më të mëdhenj të shtyrjes së afatit të përdorimit të bonove.
Legalizimet
Në ligjin e ri për legalizimet është parashikuar që 50% e faturës së truallit të shlyhet me bono privatizimi në rastin kur detyrimi shlyhet brenda vitit të parë. Ligji për legalizimet parashikon që të njohë të drejtën e pronës për ndërtuesit pa leje deri në masën e trefishit të sipërfaqes së ndërtuar. Ekspertët e Ministrisë së Financave që kanë hartuar draftin argumentojnë se përdorimi i bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje bëhet nëpërmjet ALUIZNI-t, ndërkohë që ky proces është në vazhdimësi dhe vazhdojnë të jenë në proces legalizimi një numër i konsiderueshëm objektesh apo banesash. Sipas draftit, ky proces e bën të domosdoshëm shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit.
Pagesat
Një person që ka ndërtuar në Tiranë, ku çmimi mesatar i tokës sipas hartës është 30 000 lekë/m2, duhet të paguajë gjysmën e vlerës, 15 000, nga cila 50% do të shlyhet me letra me vlerë. Sipas përllogaritjes, pronarët e ndërtimeve pa leje në Tiranë do të paguajnë 7500 lekë/m2, ndërsa pjesën tjetër me bono privatizimi. Ndërsa për një person që ka ndërtuar pa leje në Durrës, çmimi i tokës sipas hartës është mesatarisht 1500 lekë/m2.
Pronarët të ndërtimeve që janë në proces legalizimi do të paguajnë brenda vitit të parë 7500 lekë, nga e cila mund të përfitojnë 50% pagesë me bono privatizimi. E njëjta logjikë ndiqet për pagesën me letra me vlerë në të gjithë vendin.
Parcela që njihet si pronë
Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale do të përfshijë gjerësisht pagesën me anë të letrave me vlerë në masën 30-50% të objektit. Vlera e tokës do të llogaritet sa gjysma e vlerës së tregut, duke krijuar kështu mundësinë që fatura e tokës të jetë e diferencuar sipas zonave ku kryhet legalizimi. Kjo është metodologjia e përllogaritjes së pagesave me letra me vlerë. Ndërkohë që, nuk mund të legalizohet me shumë se 3-fishi i bazës së objektit të ndërtuar pa leje. Në rast se një person ka ndërtuar 50 m2, do të marrësh 150 metra, dhe kjo logjikë do të ndiqet për të gjitha ndërtimet. Objektet tregtare që kanë bërë ndërtime p.sh. 500 metra do të marrin 1500 metra, por ta paguajnë me çmim tregu. Ndërsa për llogaritjen e vlerës së parcelës është marrë gjysma e vlerës së tregut.
Pagesa e parcelës ndërtimore
Sipas ligjit për legalizimet, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të
Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim. Në ligj është përcaktuar edhe çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik; është ai i përcaktuar në bazë të vlerës së pronës. Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë.
Bonot
Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Vlera e parcelës ndërtimore që i shitet poseduesit të ndërtimit pa leje, paguhet menjëherë në momentin e njoftimit me shkrim nga ALUIZNI, duke përfituar reduktim të vlerës. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, kur subjekti është në kushtet e paaftësisë paguese, Këshilli i Ministrave, në varësi të rasteve të deklaruara, përcakton mënyrat alternative dhe procedurat për shlyerjen e vlerës së parcelës.
Ndryshimet ligjore
Në relacionin e projektligjit mësohet se ndryshimet do t’u shërbejnë lehtësirave që u krijohen ish-pronarëve të truallit në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes në këtë proces, si dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, nëpërmjet ALUIZNI-t.“Meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore vazhdon të mos jenë përfshirë akoma një numër i konsiderueshëm objektesh, kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave apo dhe të organeve të pushtetit vendor etj, si dhe duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve, të njohura apo të kthyera me vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, mendojmë se duhet të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve, në rast parablerjeje, me bono privatizimi (lekë privatizimi)”, thuhet në relacion.Sipas hartuesve të draftit, llogaritja e aksioneve për punonjësit në shoqëritë aksionare ku ata përfitojnë aksione, në këmbim të bonove të privatizimit, e bën të domosdoshëm shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit (lekë privatizimi).
Privatizimet
Projektakti parashikon përdorimin e bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, në llogaritjen e formulës së privatizimit për punonjësit në shoqëritë aksionare dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Sipas projektligjit, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Zhvillimit Urban do të vijojnë ndjekjen dhe zbatimin e këtij projektakti./Gazeta Shqiptare