Shkurtohen investimet publike ne 2020: Ulen per infrastrukturen, turizmin dhe drejtesine
Për një pjesë të konsiderueshme të ministrive, dhe specifikisht disa sektorëve, zëri i investimeve publike është shkurtuar ndjeshëm për vitin 2020.
Konkretisht, infrastruktura ka pasur edhe reduktimin më të lartë të fondeve, me 4.5 miliardë lekë, krahasuar me të dhënat e aktit normativ 2019. Kjo për shkak se nuk do të ketë projekte të reja infrastrukturore dhe se pjesa e fondeve që janë akorduar do të shkojnë për të kompletuar akset e nisura dhe për të paguar detyrimet kontraktore. Në këtë pikë, rreth 3 miliardë lekë i janë hequr transportit rrugor, por është prekur edhe buxheti i furnizimit me ujë dhe kanalizime.
Po ashtu, shkurtim shpenzimesh kapitale është parashikuar dhe për Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë në rreth 1.3 miliardë lekë, i përqendruar kryesisht në zërin e menaxhimit të të ardhurave tatimore dhe menaxhimin e të ardhurave doganore. Ndërkaq, 0.5 miliardë lekë i janë hequr edhe Ministrisë së Brendshme, ku janë prekur kryesisht fondet për policinë e shtetit, dhe financimet për prefekturat dhe funksionet e deleguara të pushtetit vendor. Shkurtim fondesh, por më minimaliste, ka pasur edhe për Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Jashtme dhe atë të Turizmit.