Secondary Adv

Projektligji shkon ne Kuvend: Dyfishohen gjobat per bizneset qe nuk leshojne fature

Gjoba dyfish më të larta, mbyllje e aktivitetit e deri në ndjekje penale, këto janë ndryshimet e propozuara për të gjithë subjektet që konstatohen në shkelje të ligjit.

 

Shkeljet e bizneseve të tilla si, moslëshimi i faturës, mos instalimi i pajisjes fiskale që do të jetë aplikacion i cili do të monitorojë çdo shitje dhe blerje në kohë reale, mungesa e llogarisë bankare, për subjekte që mbajnë mallra pa faturë tatimore, ata që nuk janë të regjistruar në organet tatimore ose lëshojnë fatura jo të rregullta do të gjobiten me dyfishin e vlerës së mëparshme. Drafti i zbardhur pak ditë më parë nga Report TV dhe që është depozituar tashmë zyrtarisht në Kuvend, synon që biznesi i vogël të gjobitet në masën e 50 mijë lekë dhe jo më 25 mijë lekë sa ishte nëse konstatohet në shkeljet e lartpërmendura.

 

Biznesi i mesëm po ashtu është propozuar të gjobitet me dyfishin e vlerës së mëparshme nga 50 në 100 mijë lekë dhe biznesi i madh në masën e 150 mijë lekë. Ashpërsimi i masave ndëshkuese vijon edhe më tej pasi në projektligj propozohet që biznesi të gjobitet me dyfishin e vlerës së parë nëse gjendet në shkelje të përsëritur. Pra nëse një biznes i vogël gjobitet në vlerën e 50 mijë lekë dhe gjendet përsëri në shkelje do të gjobitet 100 mijë lekë dhe vijohet me mbyllje të aktivitetit deri në shlyerjen e detyrimit.

 

Në rast se biznesi gjendet për herë të tretë në shkelje përveç gjobës do të procedohet për ndjekje penale, dhe emri i tij publikohet në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Këto ndryshime janë në të njëjtën linjë me projektligjin e “Fiskalizimit” që do të zbatohet nga viti i ardhshëm dhe që synon uljen e informalitetit dhe përdorimin në mënyrë të pashmangshme pajisjet fiskale, që duke filluar nga viti 2020 do të jenë aplikacione fiskale të instaluara në pajisjet kompjuterike. Ashtu siç ishte paralajmëruar gjobat do të jenë të përshkallëzuara dhe “Ligji i procedurave Tatimore” do të ndryshojë në tërësi duke u përshtatur me projektligjin e fiskalizimit./Shqiptarja.com


Më të lexuarat