11 PPP fituan 70 mln euro ne 2018: Sa nje e treta e 95 mije bizneseve te vogla
Bizneset e koncesioneve po rezultojnë më fitimprurëset në vend.
Sipas të dhënave të bilanceve të publikuara nga 11 kompanitë kryesore koncesionare në vend, fitimet e tyre në vitin 2018 arritën në rreth 8.8 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë euro. Këto fitime janë sa një e treta e asaj që fitojnë 95 mijë biznese të vogla në Shqipëri, që kanë 1-4 punonjës. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, fitimet e rreth 95 mijë bizneseve në Shqipëri, që kishin nga 1-4 punonjës ishin rreth 27 miliardë lekë (rreth 215 milionë euro) në vitin 2017 (raporti më i fundit i publikuar nga INSTAT). Kompania me fitime më të larta është koncesionari i Rinasit, Tirana International Airport.
Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, me një rritje prej 11% në raport me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ka arritur në 49%, pothuajse gjysmën e të ardhurave, me rritje dy pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm. E dyta është Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, që ka rezultuar me një fitim kontabël prej gati 3 miliardë lekësh, sipas të dhënave të publikuara nga Tatimet. Por, kompania nuk deklaron fitimin fiskal dhe si rrjedhojë, ajo nuk paguan tatimfitim.
Bazuar në standardet e kontabilitetit, fitimet kontabël janë të ndryshme nga fitimet fiskale. Në bazë të marrëveshjes me qeverinë, shpenzimet kapitale llogariten brenda vitit dhe nuk shtrihen në disa vite, siç ndodh me kompanitë e tjera, çka bën që operatori të rezultojë me humbje fiskale. Nga koncesionarët e tjerë të vjetër, Durrës Container Terminal kishte 511 milionë lekë fitime para taksave; Aleat, i pasaportave, 505 milionë lekë; SGS Automotive Albania e kolaudimit, 252 milionë lekë; SICPA Security Solutions Albania i pullave fiskale 151 milionë lekë. Me fitime të larta po rezultojnë dhe koncesionarët e rinj, të cilët po i marrin pagesat direkt nga buxheti i shtetit, duke pasur një kthim të sigurt.
“Albanian Highway Concession” që ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të 2018, raportoi fitime 908 milionë lekë para taksave, me një normë prej 32%.“SaniService”, që fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar katërfishoi fitimet në 265 milionë lekë, me një normë prej 15% (para taksave).
“3P Life Logistic”, koncesionari i Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up), kishte fitime prej 90 milionë lekë, me një normë prej 11%. “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni realizoi rreth 47 milionë lekë, ose 381 mijë euro fitime vitin e kaluar, me një normë prej 7.3%. “Integrated Technology Services”, që po zbaton projektet e inceneratorëve, raportoi të ardhura prej rreth 1 miliard lekësh në 2018-n, nga aktiviteti i inceneratorit të Elbasanit. Fitimet ishin 84 milionë lekë, me një normë minimale prej 7.7%.
Kompania tjetër Integrated Technology Waste Treatment Fier”, që është 100% në pronësi të Integrated Technology Services, raportoi të 2018-n të ardhura prej 955 milionë lekësh dhe po kaq dhe shpenzimet për lëndë të parë dhe të konsumueshme, duke deklaruar një fitim zero, por ajo është nën hetim pasi iguron e para në listën e subjekteve që kanë marrë fatura fiktive blerjeje dhe janë përfshirë në hetimin e Prokurorisë për një skemë të mashtrimit me TVSH. Kompania ka bërë blerje fiktive përmes 164 faturave, që arrijnë në 987 milionë lekë.
Më herët, Monitor publikoi listën e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend, ku rezultoi se koncesionarët kishin normat më të larta të fitimit, me mesatarisht 30%, të ndjekura nga kompanitë që janë të lidhura me tenderët publikë, me rreth 25%. Biznesi i koncesioneve pritet me rritje, pasi kontrata të reja janë nënshkruar, kryesisht për ndërtimin e rrugëve. Qytetarët shqiptarë do të paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) si pagesa për 14 kontratat koncensionare me PPP. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 për qind më e lartë se pritshmëria e këtij viti./Monitor