Secondary Adv

Ende asnje vendim per shperblimet e fundvitit: Shtyhet per ne dhjetor

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po rishikon mundësinë për të alokuar fonde shtesë për të dhënë shpërblimin në fundvit për pensionistët.   

 

Fondi i ri, i cili duhet të kalojë për këto kategori, është në vlerën e 30 milionë dollarëve. Deri më tani, Ministrja Anila Denaj nuk ka hedhur poshtë mundësinë për dhënien e bonusit në fundvit, por ka deklaruar se një vendim përfundimtar do të jepet vetëm në muajin dhjetor. Të njëjtën gjë ajo ka ripohuar edhe sot, pas prezantimit të Projekt Buxhetit të vitit 2020 në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. “Ky element ky zë në buxhet nuk ka qenë asnjëherë i parashikuar në janar, shkurt apo mars të çdo viti. Dhe kemi thënë që gjithmonë është parë në dhjetor, pasi është bërë një analizë se çfarë kursimesh janë përfituar, ne jemi akoma në nëntor.

 

Kështu që më lejoni të bëjmë një analizë, të përfundojmë buxhetin një herë, jemi duke parë të gjitha kursimet dhe në përfundim të saj do të themi brenda javës së parë të dhjetorit nëse mundemi apo jo. Bëhet fjalë 3 miliardë lekë sipas kalkulimeve tona, kështu që ne do të gjejmë nga kursimet tona një mundësi”, tha Denaj. Treguesit e realizimit të zërave buxhetorë të muajit nëntor do të kenë një rol madhor në këtë vendimmarrje, nga e cila nuk do të përfitojnë vetëm pensionistët por edhe familjet në nevojë. Bazuar në informacionet e dhëna nga Ministria e Financave vendimi për të dhënë bonusin apo jo, do të vendoset me VKM në javën e parë të muajit dhjetor, sikurse ka ndodhur vazhdimisht çdo vit. 

 

Marrja e një vendimi pozitiv nënkupton nxjerrjen e një akti të ri normativ, që do të ishte i dyti për këtë vit. Burime nga Ministria e Financave pohojnë se po punohet për të dhënë shpërblimin prej 5 mijë lekësh, por nuk përjashtohet që shifra të jetë më e ulët. Po ashtu, në këtë Akt Normativ nuk përjashtohet mundësia që të kemi edhe një rishikim të shifrave të rritjes ekonomike, që do të ishte e dyta për këtë vit. Në një rast të tillë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mund të ulë parashikimin për rritjen e ritmit ekonomik, nga 3.5 për qind, në një nivel më të ulët se kaq./Shqiptarja.com


Më të lexuarat