Secondary Adv

Rriten me 24 per qind kredite e keqija, FMN: Po pengojne rritjen ekonomike

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë marrë seriozisht me sfidën më të madhe me të cilën përballet sistemi bankar i rajonit, atë të kredive të këqija. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Ballkani Perëndimor, 15 vjet tranzicion” i kushton vëmendje dhe rritjes së kredive me probleme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor që kanë nivel të lartë të kredive me probleme nuk po e marrin seriozisht më zgjidhjen e çështjes. Ky është apeli që Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshoi në raportin “Ballkani Perëndimor, 15 vjet tranzicion”.
Raporti pranon se në Shqipëri janë bërë reforma, për shembull përmirësimi i fundit në trajtimin fiskal të huave të fshira dhe hapa për të përmirësuar ekzekutimin e kolateralit, por ka pasur shumë pak përmirësim në terren, për shkak të zbatimit të dobët.


Për të gjithë rajonin, FMN thekson se, pavarësisht përpjekjeve për reformat financiare, mjedisit institucional dhe rregullator në vendet e Ballkanit Perëndimor, këto vende nuk janë marrë seriozisht me sfidën më të madhe me të cilën përballet sistemi bankar i rajonit, atë të kredive me probleme. Në rast se problemi i kredive me probleme në Ballkan vazhdon, ai rrezikon të mbajë kredinë e dobët dhe të pengojë investimet afatmesme e afatgjata dhe rritjen ekonomike.
Bankat në Ballkanin Perëndimor që kanë kredi të larta me probleme janë më të ndjeshme ndaj riskut dhe kanë shtrënguar standardet e kredisë me synim që të shmangin përkeqësimin e mëtejshëm të portofolit.


Një vëzhgim i fundit për huadhënien e bankave konfirmon se kreditë e këqija janë faktori kryesor pengues në rritjen e kredisë në rajon, me përjashtim të Serbisë, sipas raportit. Sipas grafikëve krahasues të publikuar nga FMN, Shqipëria ishte vendi me nivelin më të lartë të NPL-ve jo vetëm në rajon, por edhe në Europën në zhvillim, në rreth 24% të totalit të huasë në fund të 2014-s. Ky tregues nuk ka zbritur nga kulmi i vet dhe është rreth 7-8 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja e rajoni prej rreth 15-16%. Nivelin më të ulët të kredive me probleme e kanë Maqedonia dhe Kosova.


Kredia me probleme në banka shënoi ulje me më shumë se 2 pikë përqindje në muajin dhjetor, sipas të dhënave që raportoi dhe Shoqata e Bankave Shqiptare (AAB), krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës. AAB publikoi të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e katërt të vitit 2014, si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin dhjetor 2014, sipas të cilave totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,294 miliardë lekë, me rritje prej 4.8% nga një vit më parë, ose 1.7% më shumë se tremujori i kaluar.


Sistemi bankar vazhdon të mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.8 % në fund të muajit dhjetor, nga 12% që është norma minimale e kërkuar nga BSH.
Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të vitit 2014 arriti në rreth 1,072 miliardë lekë, me një rritje prej 2.1% (rreth 22 miliardë lekë) krahasuar me tremujorin e kaluar, ose 4.5% krahasuar me fundvitin 2013. Përgjatë tremujorit të fundit, rritjen më të lartë prej rreth 10% e patën depozitat e bizneseve dhe institucioneve, ndërkohë që edhe depozitat e individëve kanë vijuar në rritje të qëndrueshme, me një mesatare vjetore rreth 2.6%.
Veçoria në ecurinë e depozitave, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe në kushtet e rënies së normave të interesit, ishte zhvendosja e kursimeve nga tregu i letrave me vlerë dhe depozitat afatshkurtra drejt produkteve të depozitave me afate maturimi mbi dy vjet, që ofrojnë dhe norma fitimi më të larta.


Më të lexuarat