Hapet Panairi i Mobilierise ne Tirane, pjesemarrje edhe Kosova
Kryeministri Edi Rama vizitoi të enjten në mbrëmje Panairin Ndërkombëtar të Mobilerisë që u hap ditën e djeshme në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Sipas Ramës, bëhet fjalë për një sektor që punëson mbi 80 mijë njerëz dhe Kryeministri shprehu ambicjen për ta kaluar këtë shifër përtej 100 mijë të punësuarve.
Mbi 80 mijë të punësuar Kreu i qeverisë, në fjalën etij para gazetarëve, tha se ky sektor ka potencial për të rritur numrin e të punësuarve. “Ekspozim shumë mbresëlënës i ideve dhe i kurajos së jashtëzakonshme të këtyre njerëzve që një pjesë e kanë nisur gjithçka nga zero këtu dhe një pjesë tjetër kanë ardhur nga emigracioni për të vazhduar këtu, duke sjell eksperiencën dhe në të njëjtën kohë duke krijuar vende të reja pune. Është një sektor që sot numëron mbi 80 mijë të punësuar, dhe ambicia është për të shkuar përtej 100 mijë të punësuarve, duke i dhënë mbështetje sektorit. Dhe mbështetja kryesore është promovimi për të krijuar kushte ende më të favorshme për eksportin, por njëkohësisht për të rritur edhe besimin e konsumatorëve në vend që shpeshherë i adresohen tregjeve të tjera, duke paguar edhe më shtrenjtë për të marrë produktet që janë të së njëjtës cilësi,” tha Rama.
300 milionë euro ne vit eksporte “Made in Albania” Ndërsa biznesmeni dhe drejtori i ‘Biznes Albania’, Luan Bregasi tha se ky sektor meriton vëmendje pasi jo vetëm ka hapur shumë vende pune, por ka prodhime cilësore, eksporti i të cilave shkon në 300 milionë euro në vit. “Ky sektor ka investuar rreth 250 milionë euro në teknologjinë e mobilimit, ka një peshë të rëndësishme në sektorin e punësimit pasi gati 80 mijë punonjës i mbulon ky sektor. Dëshiroj të them se këtu janë pothuajse 90% kompani të prodhimit “Made in Albania” me prodhime shqiptare, industria e prodhimit dhe 10% janë të sektorit tregtar. Pra, gati 12% janë kompani të huaja dhe nga Kosova, kurse pjesa tjetër mbi 80% janë kompani shqiptare . 250 milionë euro janë investuar në këtë sektor dhe 300 milionë euro në vit janë eksportet e këtij sektori të mobilierisë. Kjo është një mbështetje për sektorin privat dhe në mënyrë të veçantë për prodhuesit e mobilierisë shqiptare”, tha Bregasi. Panairi i Mobilierisë Shqipëria 2015 do të qëndrojë i hapur nga 12 deri më 15 mars. Ai është një organizim i Shoqatës së Prodhuesve të Mobilieve në Shqipëri (SHPMSH), në bashkëpunim me kompaninë Albexpo Group.
Në axhendën treditore të panairit janë planifikuar takime B2B, duke u dhënë mundësinë ekspertëve të fushës të ndajnë eksperiencën e tyre, të shkëmbejnë mendimet, diskutojnë zhvillimet e fundit dhe sfidat e këtij sektori. Sipas statistikave në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin rreth 1,900 biznese nga të cilat 40% janë biznese të mëdha dhe 60% biznese të vogla. Numri i të punësuarve në këto biznese është mbi 80,000 punonjës.