Secondary Adv

Kompania kineze CSCC do te marre ne dorezim rrugen e Arberit

Qeveria shqiptare do të ndjekë një procedurë të veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP me kompanisë kineze “China State Construction Company”(CSCC) për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit.


Sipas Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, kjo procedurë e veçantë ka qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë të efektshme për negocimin dhe lidhjen e kontratës për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.


Ky përjashtim, sipas ministrisë, do të mundësojë lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit të këtij segmenti rrugor në një kohë më të shkurtër, duke mundësuar kursimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove operacionale të mjeteve. Komisioni i Negocimit të Kontratës do të asistohet nga një konsulent i huaj, i cili do të bëjë vlerësimet ligjore dhe financiare, të propozimit të paraqitur dhe kontratës që do të lidhet. Përzgjedhja e konsulentit do të bëhet nga Avokatura e Shtetit.


Komisioni i Negocimit të Kontratës do të negociojë me kompaninë kineze CSCC propozimin e paraqitur prej tyre pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe do të përpilojë projekt-kontratën finale, shoqëruar edhe me relacionin përmbyllës të negociatave. Projekt-kontrata shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati prej 60 ditësh nga nisja e negociatave, i dërgohet për nënshkrim ministrit të Transportit, ministrit të Financave dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Ata kanë të drejtë që t’i kërkojnë komisionit negociues rishikimin e projekt-kontratës. Komisioni duhet të rinegociojë dhe t’u paraqesë për nënshkrim ministrave projekt-kontratën, brenda afatit prej 30 ditësh. Sipas draftit, kontrata do të miratohet nga Parlamenti.


Projekti për Rrugën e Arbërit
Rruga fillon në dalje të qytetit të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, pasi kalon segmentet e projektuara, tenderuar dhe në proces ndërtimi nga Autoriteti Rrugor, dhe si segment i pafilluar ka një gjatësi prej 26.8 km, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë. Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 m, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 m.


Zbatimi i projektit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit do të ketë impakt pozitiv, ekonomik, social dhe kulturor, duke shkurtuar distancat lidhëse të qyteteve dhe zonave të banuara si dhe do të realizojë standarde të larta teknike në të gjitha fazat e projektit. Sipas ministrisë së Transporteve, ky projekt do të rritë jo vetëm standardet e rrugëve në vend, por gjithashtu do të sjellë nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik në zonat përreth. Gjithashtu, ky segment rrugor do të rrisë bashkëpunimin me Maqedoninë, duke bërë të mundur shkurtimin e gjatësisë së tij me 75 km.


Ndërtimi i Rrugës së Arbrit shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe Portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin dhe Shkupin. Rruga e re do të ketë rritje të impaktit social dhe ekonomik kryesisht në: kursimin e kohës së udhëtimit për udhëtarët; kursimin e kostos operacionale të mjetit; uljen e numrit të aksidenteve dhe kostos së tyre në mjedis; rritjen e volumit tregtar dhe shkëmbimin e mallrave me Maqedoninë. Për sa u përket shpenzimeve të buxhetit të shtetit kjo lidhet me koston e ndërtimit dhe operimit të Rrugës së Arbrit.


Më të lexuarat