Shmanget ligji per ndertimin me koncesion te rruges se Arbrit
Qeveria shqiptare ka kërkuar në parlament miratimin e një ligji që synon thjeshtë anashkalimin e legjislacionit aktual për koncesionet publike në rastin e ndërtimit me koncesion të segmentit më të vështirë të Rrugës së Arbrit, projekti që synon të lidhë Tiranën me Dibrën përmes ndërtimit të dy tuneleve në Qafën e Murrizit në kufirin natyror ndarës mes Tiranës dhe Matit.
“Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, së bashku me ministritë e linjës, përkatësisht, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, kanë ndërmarrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë të efektshme për negociimin dhe lidhjen e kontratës për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company””, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë.
“Ky përjashtim do të mundësojë lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit të këtij segmenti rrugor në një kohë më të shkurtër, duke mundësuar kursimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove operacionale të mjeteve”, thuhet në relacionin e ligjit.
Kontrata kolegjiale
Sipas projektligjit të propozuar nga qeveria, nuk do të ndiqen procedurat aktuale të përcaktuara në ligjin për koncesionet por ministria e Transportit do të krijojë një komision negocimi me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit.
Komisioni do të punësojë një konsulent të huaj për të vlerësuar propozimin e paraqitur nga koncesionmarrësi. Kontrata do të hartohet në negociim me koncesionmarrësin dhe ligji specifikon se ajo do të bashkëfirmoset nga tre ministra, pra do të jetë një vendim kolegjial. Më pas kontrata do të kalojë për miratim në parlament.
Rruga e Arbërit
Rruga e Arbërit është një shteg historik që lidh Tiranën me Dibrën dhe brendësinë e Ballkanit përmes një trajektoreje të shkurtër prej pak më shumë se 100 kilometrash. Në kohët e lashta ky shteg është përdorur më së shumti për transport me mushka dhe vetëm gjatë muajve të verës për shkak se Qafa e Murrizit gjendet në lartësi të mëdha dhe mbulohet nga dëbora për një pjesë të madhe të vitit.
Aktualisht qeveria e shkuar projektoi dhe komisionoi punime për një segment të shkurtër nga fshati i Brrarit në periferi të Tiranës deri në Shkallën e Tujanit si dhe një tunel që çan shkëmbin pranë kanionit të lumit të Tiranës. Rruga e ndërtuar deri tani ka mbetur e paasflaftuar. Në anën e Matit janë komisionuar punime të cilat janë ndërprerë për një tunel nën Qafën e Buallit si dhe për përmirësimin e segmentit rrugor nga Bulqiza deri në kufi me Maqedoninë.
Segmenti që pritet të jepet me koncesion, sipas relacionit shoqërues të ligjit, është 26.8 kilometra i gjatë, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë.
Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 metra linearë, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 metra linearë. Rruga kalon në një terren të thyer malor dhe për krijimin e shtratit të saj parashikohet ndërtimi i mureve mbajtëse dhe veprave shoqëruese për stabilizimin e shpateve me përmasa të konsiderueshme.
Kompania kineze
Bisedimet për koncesion do të zhvillohen me kompaninë shtetërore kineze të ndërtimit, “China State Construction Company”. Qeveria shqiptare pati marrë fillimisht interesimin e kompanisë kineze në vitin 2013. Sipas njoftimit të qeverisë në atë kohë, propozimi mbart “asnjë kosto ose kosto të vogël” në borxhin publik të vendit.
Nuk bëhet e qartë nga projektligji se cila do të jetë formula e financimit të rrugës në rast se trafiku nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar kostot. Zakonisht rrugët me dy korsi konsiderohen si me leverdi ekonomike kur në to qarkullojnë mesatarisht 7 mijë makina në ditë ndërsa rrugët me 4 korsi konsiderohen ekonomike kur qarkullojnë më shumë se 12 mijë makina në ditë.
Popullsia përfituese e projektit e përqendruar në rrethet Mat dhe Dibër vlerësohet në rreth 140 mijë banorë sipas Censusit 2011./BIRN