Secondary Adv

Demtohet rende aktiviteti ekonomik: 200 mln euro shuma e kredise ne Durres

Tërmeti i fundit të nëntorit, përveç dëmeve të mëdha të drejtpërdrejta, ka shkaktuar edhe një goditje në aktivitetin ekonomik, sidomos në qarkun e Durrësit. 

 

Pasojat te bizneset tashmë janë shqetësimi kryesor edhe për sektorin bankar. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për biznesin në qarkun e Durrësit kishte vlerën e 25 miliardë lekëve ose rreth 200 milionë euro në fund të muajit shtator. Për nga përmasat, është e pritshme që pasojat e tërmetit të sjellin një ndikim në raportin e kredive me probleme. Megjithatë, ndoshta kjo do të kërkojë njëfarë kohe. Sipas standardeve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë, kreditë klasifikohen me probleme nëse huamarrësi nuk shlyen këstin për të paktën 90 ditë.   

 

Kjo do të thotë se klientët kanë rreth tre muaj para se të hyjnë në listën e kredimarrësve të këqij dhe kredia e tyre të kategorizohet si e tillë.Megjithatë, sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, bankat mund t’i llogarisin huatë me probleme sipas kritereve të tjera të lidhura me tërësinë e informacionit që disponojnë për kredimarrësin. Për shembull, hotel Vila Palma ishte huamarrës në një prej bankave tregtare. Me shembjen e godinës, natyrisht që kredia në llogaritë e bankës do të klasifikohet si e humbur, sepse ekzistenca e biznesit është e lidhur direkt me mjedisin ku zhvillonte aktivitetin. 

 

Sidoqoftë, në rastin konkret, prona e shembur mendohet se ka qenë një kolateral i siguruar dhe kredia do të shlyhet nga kompania e sigurimeve. Por, në shumë raste të tjera, kreditë e bizneseve nuk janë të siguruara me kolateral fizik dhe pritet që në këto raste bankat të përballen me humbje. Megjithatë, situata e krijuar nga tërmeti ndoshta do të adresohet përmes një platformë të posaçme, që do të synojë t’iu krijojë huamarrësve biznese dhe individë lehtësi për të risitrukturar kreditë pa kosto, siç kanë propozuar bankat tregtare. 

 

Por, nga ana tjetër, bankat do të kërkojnë mbështetjen e Bankës së Shqipërisë që kreditë e ristrukturuara për shkak të tërmetit të mos klasifikohen automatikisht si kredi të këqija. Aktualisht, rregullorja përkatës e Bankës së Shqipërisë kërkon që çdo kredi e ristrukturuar të zbritet në kategorinë e parë joperformuese. Për shkak të rrethanave specifike dhe për t’iu ardhur në ndihmë kredimarrësve të prekur, bankat presin që autoriteti mbikëqyrës të bëjë një amendim të përkohshëm të rregullores në këtë pikë, për një afat kohor të kufizuar./Scan


Më të lexuarat