Secondary Adv

Termeti demtoi kalane ne Durres: Kulla e rrezur do restaurohet me materialet e saj

Tërmeti shkatërroi dhe një nga kullat fortifikuese të kalasë së Durrësit, e cila sipas arkeologeve, do të restaurohet me vetë materialet e saj të mbetura nga shkatërrimi.

 

E ndërtuar në periudhën e perandorit bizantin Anastas I, me origjinë nga Durrësi, kulla C e mureve rrethuese të qytetit u shemb fillimisht nga tërmeti shkatërrues i vitit 1273 dhe u ringrit ndër shekuj për t’u shkatërruar sërish nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të këtij viti. Pjesë e fortifikimit bizantin të qytetit dhe trashëgimisë sonë kulturore, Kulla C është rrethuar me shiritin pengues nga autoritetet në pritje të restaurimit. “I gjithë muri rrethues i përket periudhës së perandorit bizantin Anastasi I që ishte me origjinë nga Durrësi dhe bëri fortifikikim e qytetit dhe kulla C që ka rënë ishte pjesë e këtij rrethimi fortifikues. Gjatë tërmetit të tmerrshëm të vitit 1273, që shkatërroi pothuajse plotësisht qytetin e Durrësit, u shkatërrua edhe kjo kullë plotësisht. 

 

Më pas, kulla u restaurua me materiale të Antikitetit të vonë, pra të periudhës së Anastasit dhe materiale të periudhës së Mesjetës. Është hera e dytë që kjo kullë është rrëzuar”, thotë Eda Çekrezi, arkeologe. Ashtu si dhe në pallatet shumëkatëshe dhe godinat e tjera të dëmtuara nga tërmeti, edhe ky objekt i trashëgimisë sonë kulturore pati një pikë të dobët nga ana ndërtimore, që vjen si një gabim historic në ndërtim, që ndikoi dhe në shkatërrimin e tij nga forca e lartë goditëse e tërmetit të cilit muret rrethues, Torra Veneciane që ndodhet vetëm pak metra më tutje, apo dhe Amfiteatri Antik i rezistuan.

 

“Tërmeti gjeti pikën më të dobët, pasi duke qenë se kulla është restauruar njëherë, asaj i mungonin themelet. Pra duke qenë një trup i rivendosur, jo pjesë e të njëjtit trup antik, ai ka pësuar cedime dhe tërmeti ka gjetur pikat e dobëta dhe ka ndikuar në rënie. Pasi një strukturë me një gjerësi rreth 3,6 metra është e vështirë të bjerë, po tërmetet e forta shkatërruese nuk pyesin as për strukturat e forta”, thotë ajo më tej. Çfarë do të bëhet me blloqet e rëna dhe Kullën C, që tashmë është kthyer në një tjetër dëshmi të tërmeteve që kanë goditur Durrësin përgjatë historisë së tij afro tremijëvjeçare?

 

“Këto blloqe nuk janë spostuar në mënyrë që të ringrihen, pra të bëhet restaurimi i Kullës përmes procesit të anastilozës, duke marrë të njëjtat objekte siç kanë rënë dhe për të formuar kullën në gjendjen e mëparshme, bazuar dhe në dokumentacionin grafik, fotografik dhe filmik për ta rikthyer kullën në identitet”. Aktualisht është bërë dokumentimi i plotë i gjendjes së kullës edhe pas rënies së tërmetit dhe po merren masat paraprake për t’u bërë restaurimi i Kullës C të murit rrethues të Durrësit./Top Channel


Më të lexuarat