Secondary Adv

2020 parashikohet vit i veshtire per ndertimin: Pritet rritje e cmimit te apartamenteve

Për aktorët kryesorë të sektorin të ndërtimit në vend 2020 pritet që të jetë një vit sfidues.

 

Tërmeti i fuqishëm në 26 nëntor nxori në pah problematikat që lidheshin ngushtësisht me këtë sektor dhe me cilësinë e ndërtimit, por që për aktorët kryesorë të tregut nuk do të ndalë hovin e lejeve të ndërtimit që janë dhënë tashmë. Sipas tyre sektori i ndërtimit do të jetë më sfidues për shkak edhe kostove të reja ndaj ndërtuesve. Me bumin e ndërtimeve klientët e interesuar për të blerë apartamente kanë edhe më shumë oferta në treg por kanë edhe mungesë informacioni mbi morinë e projekteve që janë hedhur në tregun e pasurive të paluajtshme. Kjo për ndërtuesit përbën një terren të mirë për ndërtuesit jo seriozë. 

 

Taksat, si do të ndikojë te çmimet

Në vitin 2020, taksa 3% e strehimit social, si dhe sigurimi i detyrueshëm i pallateve deri në 10 vjet nga ana e ndërtuesve, pritet që të ndikojë drejtpërdrejtë në çmimet e apartamenteve. Për më tepër, nisur edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili la të pastrehë me mijëra qytetarë, qeveria do të kërkojë vjeljen e taksës së strehimit social që në nisje të ndërtimit, çka pritet që të sjellë vështirësi edhe me likuiditet e firmave të ndërtimit, të cilat do t’ju duhet të paguajnë paradhënie 3% të sipërfaqes së godinës me çmim tregu. Hajredin Fratari, ndërtues, u shpreh për Monitor se në sektorin e ndërtimit çmimet nuk janë rritur nga ndërtuesit, por kanë ardhur si rrjedhojë e taksave të shtuara.

 

“Ne jemi vendi me taksat më të larta në Europë edhe në Ballkan. Shumë ndërtues po transferojnë ndërtimet në vendet e rajonit, si Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut. Në Kosovë aplikohet një taksë prej 10% te sektori i ndërtimit, taksa për sigurimet ndahet midis punonjësit. Në Maqedoni dhe në Malin e Zi është i njëjti sistem taksimi. Taksimi 3% për strehimin social është një taksë e jashtëzakonshme. Ne si ndërtues paguajnë 8% të çmimit referencë si taksë infrastrukture, e cila është reflektuar tek çmimi final që paguan klienti. Deri më tani taksa e infrastrukturës ka shkuar në destinacionin që është mbledhur, duke u investuar aty ku duhet,- u shpreh ai. Ndërsa Sokol Kika po planifikon të pezullojë ndërtimet në periudhat e ardhshme. 

 

Për të nuk është më tërheqëse të investojë në këtë moment, ku për të nisur një projekt të ri do t’i bllokoheshin një pjesë e mirë e likuiditeteve. Një tjetër barrë i është shtuar ndërtuesve, sikurse është sigurimi për 10 vjet i sigurimit të detyrueshëm të pronës. Ky sigurim i detyrueshëm bën fjalë për 1% të çmimit të tregut të banesës, e cila e paguar për 10 vjet, do të thotë që ndërtuesi duhet të paguajë 10% të çmimit të referencës. Sokol Kika thotë se kjo është një barrë që në momentin e parë po rëndon te ndërtuesit, pasi ata nuk mund të reflektojnë te kontrata që janë lidhur tashmë me blerësin, por padyshim që për apartamentet që do të shiten në të ardhmen kjo do të thotë rritje e çmimit. 

 

Edhe përfaqësuesit e kompanisë Gener2 pohuan se taksat e reja pritet të ndikojnë në mënyrë direkt te kostot e ndërtimit dhe rrjedhimisht do të ndikojë edhe te çmimi i blerësve. Ndërsa për sa i përket masës së sigurimit për 10 vjet ata u shprehen se kjo masë është më shumë transferim risku nga një palë në një palë tjetër; ndërkohë që për ndërtuesin ose banorin në rastin kur apartamenti është vendosur kolateral për një kredi bankare, është një kosto e shtuar kjo masë duhet të analizohet nga shoqëritë e sigurimit të cilat edhe do ta mbartin riskun për 10 vite./Burimi: Monitor


Më të lexuarat