Secondary Adv

Qeveria behet gati per nje tjeter eurobond: Hapet gara per zgjedhjen e konsulentit

Ministria e Financave ka çelur sërish garën për të përzgjedhur studion ligjore që do ndihmojë qeverinë të marrë 600 mln euro borxh përmes një eurobondi të ri.

 

Sipas dokumentave të publikuar në Agjencinë e Prokurimeve publike, studioja do të këshillojë Ministrinë e Financave për tre muaj deri në çeljen e ankandit të eurobondit. Sipas programit paraprak, ankandi për eurobondin e ri pritet të zhvillohet brenda gjysmës së parë të vitit rreth muajve prill-maj. Kjo është hera e katërt që Shqipëria del në tregjet financiare të Europës për të marrë borxh tregtare. Eurobondi i fundit u emetua në tetor të vitit 2018, përmes të cilit qeveria mori 500 milionë euro borxh me një normë interesi prej 3.5 për qind. Ministria e Financave shpreson që borxhi i radhës të merret me një kosto edhe më të leverdishme, për shkak edhe të konjukturave më të favorshme të tregut. 

 

Shuma prej 600 milionë eurosh që qeveria kërkon të marrë në tregjet ndërkombëtare nuk është i gjithë borxh i ri. Një pjesë e saj do të përdoret për të zëvendësuar borxhet e marra gjatë viteve të kaluara, të cilat tashmë duhet maturohen dhe duhet të paguhen mbrapsht. Për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar që të marrë rreth 39 miliardë lekë ose 320 milionë euro borxh të ri, që e çon deficitin fiskal të programuar në 2.2 për qind të prodhimit kombëtar. Fillimisht ishte parashikuar që deficiti i këtij viti të ishte 29 miliardë lekë, por pas tërmetit të datës 26 nëntor, qeveria vendosi të rrisë huamarrjen për të financuar programin e rindërtimit./Burimi: Top Channel


Më të lexuarat