Secondary Adv

Rishikohen kushtet e licensimit per universitetet: Deget ti pergjigjen tregut te punes

Ministria e Arsimit ka rishikuar kushtet për licencimin e universiteteve si në drejtim të fillimit të aktivitet dhe mbylljes së tij. 

 

Udhëzimi i ditëve të fundit publikoi kritere me të forta për licencimin e subjekteve të huaja për të operuar në sektorin e arsimit të lartë në vend. Ndër të tjera udhëzim kërkon që subjektet që licencohen në Arsimin e lartë duhet patjetër që te hapin degë që lidhen me tregun e punës. Sipas Ministrisë së Arsimit analiza e tregut të punës duhet të identifikoje se si programi i propozuar të rrisë aftësitë, mundësitë e studentëve për të përfituar njohuri që përputhen me nevojat e tregut të punës me qëllim punësimin stabël me të ardhura sa më të lartë. Gjithashtu subjekti duhet të identifikoje se programi i propozuar përmbush kërkesat e punëdhënësve për forcën e punës në një periudhë afatmesme.   

 

Ministria e Arsimit kërkon që të interesuarit duhet të identifikojnë se si programi i propozuar përshtatet me politikat kombëtare të punësimit. Por teksa ministria e Arsimit kërkon që subjektet private të arsimit të lartë të zhvillojnë degët që lidhen me tregun e punës, në sektorin e arsimit që drejtohet prej saj nuk ka një lidhje të tillë. Për shembull ministria e Arsimit ka të dhëna dhe projeksione për forcës e punës për sektorin publik, sidomos arsim dhe shëndetësi, shkollimi për këto sektorë në universitet publike nuk përputhet me këto kërkesa.

 

Prej tre dekadash arsimi dhe tregu i punë zhvillohen pa lidhje me njëra- tjetrën. Sektorët e shërbimeve dhe bujqësisë formuan 66.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2017, ndërsa kontribuuan me 80.6 % të punësimit (42.4 shërbimet dhe 38.2% bujqësia), po të diplomuarit për këto degë zinin vetëm 4.2 për qind të totalit të diplomuarve në vitin 2017. Gjithnjë e ma pak të rinj duan të studiojnë për veteriner, ekspert peshkimi apo agronom, teksa sektori i shërbimeve dhe hotelerisë thuajse mbetet tërësisht i papërfaqësuar në arsimin e lartë publik. Të diplomuarit në këto degë po bien nga viti në vit duke i çuar disa degë specifikë që lidhen me bujqësinë drejt shuarjes. 

 

Në vitin 2013, 6.7 për qind e diplomave në arsimin e lartë ishin për bujqësinë dhe shërbimet, por kjo peshë po bie vit pas viti, teksa po çdo vit e më shumë diplomohen studentë në një treg që tashmë është i mbingarkuar. Edhe pas 30 vitesh tranzicion sistemi arsimor në vend nuk po lidhet me prioritet kombëtare. Edhe pse qeveritë në dekadën e fundit i kanë shpallur prioritet sektorët e Bujqësisë dhe Arsimit ato nuk kanë azhornuar asnjë politike për të rritur forcën e kualifikuar të punës në këto sektorë dhe gjithashtu nuk i kanë kanalizuar fondet publike në shërbim të tyre. Gjithnjë e më tepër sistemi arsimor në vend po riorientohet në nevojat që ofron tregu u jashtëm i punës se sa vendi./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat