Secondary Adv

Mblidhet Keshilli i Investimeve-Denaj: Te rritet cilesia e sherbimeve per biznesin

Këshilli i Investimeve ka realizuar mbledhjen e radhës, ku tema kryesore ishte Bashkëveprimi midis Biznesit dhe Bashkive, për të rritur transparencën dhe zhvillimin ekonomik.

 

Mbledhja u cilësua nga ministrja Denaj si mjaft e vlefshme për të parë gjendjen aktuale të klimës së biznesit dhe për të shqyrtuar masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për t’i përmirësuar ato. Gjatë fjalës së saj, znj. Denaj vuri në dukje progresin e shënuar nga zbatimi i reformës administrative-territoriale të nisur në vitin 2014, një ndër objektivat e së cilës është forcimi i financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe rritja e autonomisë fiskale. Sipas saj, në kuadër të reformës së decentralizimit fiskal janë ndërmarrë një sërë masash, si miratimi i ligjit të ri mbi financat e vetëqeverisjes vendore, i cili forcoi rregullat e buxhetimit dhe disiplinës fiskale në nivel vendor.

 

Ky ligj forcoi mbledhjen e të ardhurave sipas ministres, ku burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 29.1% të burimeve financiare totale për një Bashki, ndërkohë që transferta e pakushtëzuar e shpërndarë është 38% më e lartë se niveli i saj historik. Ministrja Denaj më tej gjeti rastin për të kërkuar edhe angazhimin e shtuar të bashkive sa i përket reformës së Kadastrës Fiskale, “mbi bazën e së cilës do të zbatohet një sistem i drejtë i taksimit mbi pronën”, sipas saj. Për të mbështetur temën e këtij Sekretariati i Këshillit të Investimeve zhvilloi gjithashtu një anketë për të identifikuar problematikat kryesore që bizneset hasin në lidhje me qeveritë vendore.

 

Sipas madhësisë, 64% e të anketuarve ishin biznese me xhiro me 8 milion lekë, 25% biznese me xhiro 5-8 milion lekë dhe pjesa tjetër ishin biznese me xhiro deri në 5 milion lekë. Anketimi dhe analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ka vënë në dukje nevojën për një bashkëveprim të shtuar mes aktorëve dhe ka identifikuar instrumentet kryesore të pushtetit vendor për nxitjen e biznesit dhe ndërveprimit. Më kryesoret ishin ofrimi i shërbimeve online, si dhe rritja e cilësisë së këtyre shërbimeve për të balancuar raportin kosto/vlerë. Znj. Denaj përmendi faktin se në disa bashki, MFE ka shpallur projekte të zhvillimit të zonave ekonomike, për të cilat janë krijuar paketa për tërheqjen e investitorëve dhe që janë mundësi shumë të mirë për bizneset./Burimi: Scan


Më të lexuarat