Secondary Adv

Sigurimi i ofertave ne tendera- KLSH: Ndryshim i ligjit, te behet nepermjet bankave

KLSH rekomandon ndryshimin e legjislacionit dytësor të prokurimeve, në mënyrë që sigurimi i ofertave të bëhet cash në Lekë, në një bankë të nivelit të dytë. 

 

Është kriter që për çdo procedurë prokurimi operatorët e interesuar të dorëzojnë 2 për qind garanci për ofertën dhe në rastet kur ka një fitues të depozitohet një shumë 10 për qind për sigurimin e kontratës ose një prim sigurimi të barabartë me ketë shumë mbulimi. Por praktika që ndiqet më shpesh sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është ajo e primeve që operatorët i marrin nga kompanitë e sigurimit e për rrjedhojë në raste e tenderëve që shfaqin probleme shteti përfundon gjyqeve me kompanitë e sigurimit. Një situatë e tillë ka përshkruar KLSH në raportin e fundit të auditimit që ka në fokus kontollin e Agjencisë së Prokurimit Publik. 

 

Sipas KLSH në bazë të auditimeve që janë kryer, në autoritete të ndryshme kontraktore në institucione në nivel qëndror dhe vendor si dhe pranë sistemit të prokurimit elektronik (SPE) pranë APP, www.app.gov.al, është evidentuar se, në pothuajse të gjitha procedurat prokuruese, sigurimi i ofertës dhe sigurimi i kontratës nuk është bërë në formën e një depozite apo garancie, të lëshuar nga një bankë, por është bërë nga një shoqëri sigurimi. “Garancia e ofertës dhe e kontratës e lëshuar nga shoqëritë e sigurimit bëhet në formën primi, çka do të thotë që operatorët ekonomikë nuk depozitojnë Lekë në cash në këto shoqëri në vlerën 2% te fondit limit për garancinë e ofertës dhe 10% te vlerës së kontratës fituese për garancinë e kontratës, por paguajnë një vlerë të papërfillshme që afërsisht shkon nga 1,000 lekë deri në 5,000 lekë. 

 

Duke iu referuar, një shembulli, në një procedurë prokurimi me fond limit 100 milion lekë, sigurimi e ofertës duhet të jetë 2 milion lekë, ndërsa kontrata ka dalë fituese me vlerën 90 milion lekë dhe sigurimi i kontratës duhet të jetë 9 milion lekë. Në rast se, për arsye të shkeljeve të ndryshme do të kërkohet konfiskimi i këtyre garancive, buxheti i shtetit do të përfitojë sipas rastit 2 milion lekë për sigurimin e ofertës dhe 9 milion lekë për sigurimin e kontratës” vlerëson KLSH. Në këtë kuadër rekomandimi i KLSH është që të merren masa për ndryshimin e legjislacionit dytësor të prokurimeve, duke e përafruar atë me Direktivat e BE, veçanërisht për sa i përket sigurimit të ofertës dhe sigurimit të kontratës, në mënyrë të tillë që ato të bëhet cash në Lekë, në një bankë të nivelit të dytë. 

 

“Në këtë mënyrë, autoritetit kontraktues i jepet mundësia në kohë reale që të kërkojë konfiskimin e tyre në rast të shkeljeve të rregullave të prokurimit publik. Për këtë qëllim, APP të kërkojë paraprakisht mendim nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe përfaqësuesit e biznesit, për ndikimin që mund të sjellë ky ndryshim ndaj operatorëve ekonomikë” vlerëson KLSH. Rastet e problematikave me tenderët nuk janë të panjohura kur vjen puna tek sigurimi i ofertës dhe kontratës. Një rast i tillë që futi në konflikt shtetin me kompanitë e sigurimit ishte ajo për tenderin e Unazës së Madhe ku kompania DH Albania kishte depozituar një prim dhe jo para cash.

 

Kjo bëri që në momentin kur kompania DH Albania u kap me shkelje pasi kishte mashtruar me dokumentacionin qeveria të kërkonte paratë e sigurimit të ofertës që duhet të ishin 2 për qind e fondit limit. Ky fond limit ishte 2.2 miliardë lekë çka me ligj kërkonte që sigurimi i ofertës të ishte rreth 45 milionë lekë. Këto para qeveria i kërkoi nga kompanitë e sigurimit të cilat kishin lëshuar edhe primin për procedurën, të bënin pagesën. Por kjo çështje përfundoi gjykatave nga e shkallës së parë tek Apeli dhe ende nuk është zbardhur një vendim final./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat