Secondary Adv

Rritet punesimi informal ne 2019: Hendek mes shifrave te INSTAT dhe Tatimeve

Hendeku në shifrat e punësimit mes statistikave administrative dhe atyre që mbështeten në anketimet zyrtare është zgjeruar gjatë vitit të kaluar. 

 

Sipas Instat, në fund të tremujorit të tretë 2019, numri i të punësuarve mbështetur në anketën e forcave të punës ishte rreth 1.27 milionë individë. Ndërkohë, sipas të dhënave administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numri total i të punësuarve të regjistruar për të njëjtën periudhë ishte rreth 1.16 milionë. Duke krahasuar të dhënat, numri i të punësuarve në statistikat administrative është rreth 111 mijë më pak krahasuar me statistikat e bazuara në anketime. Këtu sigurisht që nuk përfshihen 463 mijë të punësuarit në sektorin bujqësor, megjithëse pjesa më e madhe e tyre realisht është e paformalizuar.

 

Krahasuar me fundin e vitit 2018, diferenca e numrit të punësuarve mes këtyre dy burimeve të ndryshme është rritur me pothuajse 10 mijë vetë. Diferenca mes dy burimeve të ndryshme statistikore mund të konsiderohet afërsisht si një matës i përafërt i informalitetit në tregun e punës, që gjatë vitit të shkuar duket të jetë rritur. Në teori, pjesa më e madhe e 111 mijë individëve punojnë në të zezë, por këtu mund të përfshihen edhe një pjesë e atyre që kontribuojnë në bizneset familjare. Shumë sipërmarrje familjare mund të angazhojnë disa pjesëtarë, por jo të gjithë rezultojnë të regjistruar në pagues të tatimeve dhe kontributeve.

 

Pavarësisht nga rezervat lidhur me mënyrën e përllogaritjes, është fakt se informaliteti në punë, ashtu si edhe mbrojtja e të drejtave të tjera të punëmarrësve ngelen një problem i prekshëm për ekonominë shqiptare. Edhe në rastet kur punonjësit janë të formalizuar, shpeshherë paga e deklaruar nuk është reale. Sipas të dhënave administrative, pothuajse 27% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve rezulton se paguhen me pagën minimale./Burimi: Scan


Më të lexuarat