Secondary Adv

Arsimi profesional larg tregut te punes: Vetem me pak se gjysma punesohen

Këtë vit shkollor rreth 20 mijë nxënës po ndjekin arsimin profesional në 35 shkolla që janë të shpërndara në të gjithë vendin.

 

Por teksa numri i nxënëseve që po preferojnë arsimin profesional në vend të gjimnazit po rritet, vrojtimet kanë treguar se integrimi i tyre në tregun e punës për profesionet që studiojnë mbetet një sfide. Ministria e Financave duke analizuar ecurinë e arsimit profesional ka vënë në dukje se vetëm 46.9 për qind persona rezultojnë të punësuar një vit pas diplomimit. Integrimi i ulët në tregun e punës të nxënësve që mbarojnë arsimin profesional lidhet me disa arsye, ku më kryesorja është mospërputhja e formimit më ofertën e punës. Rritja ekonomike në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit është përkthyer në përmirësime të konsiderueshme në tregun e punës, referojnë financat. Në fund të tre-mujorit të tretë 2019 papunësia shënoi 11.4% nga 17 për qind që ishte më 2015.

 

Edhe pse punësimi erdhi në përmirësim Shqipëria vijon të ketë një nivel të lartë të papunësisë ndër të rinj. Shkalla e papunësisë së të rinjve në tremujorin e tretë të 2019 ishte 21,4%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë është 1,8 pikë përqindje më e ulët, por krahasuar me tremujorin e dytë të 2019 papunësia tek të rinjtë ka pësuar rritje me 0.5%. Përtej përmirësimeve të qëndrueshme, Shqipëria ende përballet me sfida të rëndësishme në sigurimin e punësimit të sigurt dhe produktiv për të gjithë personat në moshë pune, nxitjen e produktivitetit më të lartë dhe sigurimin e integrimit në tregun e punës, të grupeve të cenueshme, veçanërisht të varfërve, grave, të rinjve dhe grupeve të tjera të pafavorizuara.

 

Një sfidë e madhe për vendin është përmirësimi i cilësisë së mundësive të punësimit. Ndërsa papunësia ka rënë ndjeshëm, në 11.5 për qind në TM2-2019, ajo mbetet e lartë, veçanërisht në krahasim me vendet e BE-së. Vetëm më pak se gjysma e të papunëve kërkojnë punësim përmes shërbimeve publike të punësimit, duke dëshmuar se skema e ndihmës ekonomike, zyrat e punësimit dhe politikat aktive të tregut të punës duhet të strukturohen më mirë për të mbështetur të papunët, analizoi Ministria e Financave./Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat