Secondary Adv

Rihapet procesi i privatizimit per pallatet e vjetra: Zgjat 2 vite, ja tarifat

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e rregullave, kushteve dhe procedurave të privatizimit, për objektet e kthyera në banesa të ndërtuara nga shteti. 

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e rregullave, kushteve dhe procedurave të privatizimit, për banesat ose objektet e kthyera në banesa të ndërtuara nga shteti, të cilat vijojnë të jenë në pronësi të shtetit e rezultojnë të paprivatizuara dhe të paregjistruara në regjistrin kadastral të pasurive të paluajtshme, kur këto banesa: 

– kanë qenë objekt privatizimi sipas ligjit nr.7652, datë 23.12.1992,“Për privatizimin e banesave shtetërore”, por kanë mbetur pa u privatizuar nga familja që e ka poseduar me kontratë qiraje me ish-ndërmarrjet komunale banesa;

-janë objekt privatizimi dhe janë banesa të ndërtuara deri më 31.12.1999 dhe që i kanë kaluar në administrim dhe/ose pronësi Entit Kombëtar të Banesave (në vijim, EKB) me akte nënligjore, sipas ligjit nr.9321, datë 25.11.2004, “Për privatizimin e banesave dhe objekteve, të kthyera në banesa me fondet e shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore”.

 

Vendimi përcakton se privatizimi i banesave, që kanë qenë objekt i ligjit nr.7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, dhe që, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, figurojnë në pronësi të shtetit, kryhet në emër të personit, i cili ka pasur kontratë qiraje me shtetin para vitit 1992 dhe të personave të tjerë madhorë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare të datës 1.12.1992. Kontrata e qirasë ose, në mungesë të saj, dokumente që vërtetojnë qiradhënien para vitit 1992, të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 11, të këtij vendimi, shërbejnë për të vërtetuar personin si përfitues i privatizimit.

 

Çdo sipërfaqe e përfituar mbi atë të normave të strehimit do të llogaritet me çmimin e tregut. Privatizimi i banesave dhe i objekteve të kthyera në banesa, të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 77, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, bëhet nga subjekti shtetëror që ka në pronësi objektin ose që i ka kaluar pronësia e objektit me vendim të Këshillit të Ministrave, përkatësisht, Enti Kombëtar i Banesave (EKB) ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, pasi të jetë lëshuar certifikata përkatëse e pronësisë për çdo njësi banimi. Nëse EKB-ja ka filluar procedurën e transferimit të banesave dhe të objekteve të kthyera në banesa në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, këto të fundit përfundojnë procedurën e regjistrimit të këtyre objekteve në emër të tyre dhe kryejnë privatizimin. 

 

Pas lëshimit të certifikatës së pronësisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore ose EKB-ja cakton strukturën përgjegjëse që përgjigjet për organizimin e punës për privatizimin: shqyrtimin e kërkesave, plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, verifikimin e kushteve ligjore të nevojshme për privatizimin, llogaritjen e vlerave të privatizimit, përgatitjen e vendimit të privatizimit dhe të kontratës për privatizimin. Menjëherë, me marrjen e certifikatës së pronësisë së objektit që do të privatizohet, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore njofton qytetarët me mjete të njoftimit publik, ku përfshihen afishimi i njoftimit në mjediset e tyre dhe njoftimi elektronik on-line në faqet zyrtare përkatëse, për të paraqitur kërkesat për privatizimin e banesave, objekteve të kthyera në fond banese dhe për procedurat që duhet të ndjekin. Njoftimi përmban informacionin e nevojshëm për objektet që privatizohen.

 

Procedura e privatizimit fillon me paraqitjen e kërkesës për privatizim nga:

a) subjekti i pajisur me autorizim nga organet kompetente ose, në rast vdekjeje, të trashëgimtarëve të tij; ose

b) çdo person i autorizuar me prokurë nga subjekti i përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike.

Kërkesa i dërgohet, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga njoftimi publik i parashikuar, sipas pikës 7, të këtij vendimi, EKB-së ose njësisë së qeverisjes vendore në territorin administrativ të së cilës ndodhet banesa. Kërkesa duhet të përmbajë të dhënat, si më poshtë vijon:

 

a) Subjektin që i drejtohet EKB-së ose njësisë së vetëqeverisjes vendore;

b) Të dhënat personale të subjektit kërkues, sipas pikave 9 e 11, të këtij vendimi;

c) Të dhënat lidhur me banesën ose objektin e kthyer në fond banese, për të cilin kërkohet privatizimi;

ç) Datën e kërkesës e nënshkrimin e kërkuesit.

 

Kërkesa e depozituar pranë EKB-së ose njësisë së qeverisjes vendore duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Dokument që tregon se personi gëzon të drejtën e privatizimit të banesës, të tillë, si: kontrata e qirasë, akti i dhënies ose i marrjes në dorëzim të banesës nga ish-ndërmarrja komunale banesa ose autorizim nga ish-organet administrative publike që e kanë strehuar në atë banesë;

b) Certifikatë e gjendjes familjare e datës 1.12.1992 dhe certifikatë aktuale të gjendjes familjare në momentin e privatizimit për efekt të përcaktimit të sipërfaqes së banesës që i takon familjes, bazuar në normat e strehimit në momentin e privatizimit dhe të përcaktimit të sipërfaqes së tepërt mbi normën e strehimit, nëse ka një të tillë;

 

c) Dëshmi e trashëgimisë, nëse ka një të tillë, në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 9, të këtij vendimi;

ç) Prokurë, nëse ka një të tillë, në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 9, të këtij vendimi;

d) Dokument identifikimi i kërkuesit (kartë identiteti dhe/ose pasaportë biometrike).

Dokumentet e listës së mësipërme, që sigurohen nga portali elektronik qeveritar e-Albania, sigurohen nga vetë EKB-ja dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

 

Pas dorëzimit të kërkesës e të dokumentacionit që shoqëron atë, struktura përkatëse e EKB-së ose e njësisë përgjegjëse për privatizimin plotëson formularët e privatizimit, sipas modelit të parashikuar në shtojcën 1, të këtij vendimi. Formulari shoqërohet me planimetrinë e apartamentit, e cila hartohet e nënshkruhet nga projektues të licencuar, sipas matjeve në vend me shpenzimet e përfituesit të privatizimit. Kur banesa është individuale, planimetria e banesës shoqërohet edhe me planvendosjen e planimetrinë e truallit. Formulari nënshkruhet nga personat përfitues nga privatizimi, sipas pikave 2 e 3, të këtij vendimi, dhe nga përgjegjësi i strukturës së përmendur në pikën 6, të këtij vendimi.

 

Formulari përgatitet në 2 (dy) kopje, nga të cilat njëra i jepet personit përfitues dhe tjetra futet në dosjen e privatizimit nga përgjegjësi për privatizimin në EKB ose njësinë e vetëqeverisjes vendore, që përgatit e administron dosjen e privatizimit. Pas miratimit të kërkesës së personit të interesuar për privatizim dhe plotësimit të formularit, përgjegjësi i EKB-së ose i njësisë së privatizimit përgatit dosjen e privatizimit, e cila përmban:

a) kërkesën e personit për privatizimin e banesës;

b) formularin e privatizimit;

c) certifikatën e gjendjes familjare, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 11, të këtij vendimi;

 

ç) vlerën e privatizimit të truallit e të apartamentit a banesës individuale;

d) planimetrinë e apartamentit ose, në rastin e banesave individuale, planvendosjen e banesës dhe planimetrinë e truallit.

EKB-ja ose njësia përgjegjëse e privatizimit identifikon përfituesit e privatizimit, sipas pikave 2 e 3, të këtij vendimi, mbështetur në përcaktimet sipas certifikatës së gjendjes familjare të datës 1.12.1992. EKB-ja ose njësitë përgjegjëse për privatizimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, me paraqitjen e kërkesës, shqyrtojnë dokumentacionin e dosjes në prani të personit të interesuar dhe marrin vendim për:

a) pranimin e kërkesës;

b) refuzimin e kërkesës, kur nuk plotësohen kushtet e dokumentacioni i nevojshëm për privatizim, sipas parashikimeve në këtë vendim;

 

c) kthimin e kërkesës për plotësimin e mangësive në dokumentacion.

Plotësimi i mangësive nga subjekti bëhet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit nga EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore. Mosplotësimi i mangësive brenda afatit të përcaktuar më sipër sjell mospranimin e kërkesës. Subjekti i interesuar për privatizimin ka të drejtë t’i drejtohet me shkrim EKB-së ose njësisë së vetëqeverisjes vendore për çdo ankim lidhur me përllogaritjet e kryera në formularët e përcaktuar në këtë vendim. EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore ka detyrimin t’i kthejë përgjigje me shkrim ankuesit brenda 10 (dhjetë) ditëve.

Vlera e privatizimit përbëhet nga:

a) tarifa e privatizimit të banesës; dhe

b) tarifa e privatizimit të truallit.

Pagesa e vlerës së privatizimit mund të bëhet me pagesë të menjëhershme ose me këste mujore, sipas kushteve që përcaktohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose EKB-ja. Të ardhurat e krijuara nga privatizimi arkëtohen nga institucioni që ka në pronësi objektin, përkatësisht nga:

a) njësia e vetëqeverisjes vendore;

b) EKB-ja.

 

Për efekt privatizimi, sipas këtij vendimi, banesa të kategorisë së parë vlerësohen banesat që ndodhen në rrugë kryesore. Ndarja e banesave sipas kategorive bëhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Tarifa e privatizimit të truallit përcaktohet në përputhje me legjislacionin përkatës në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 77, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, dhe është, si më poshtë vijon:

a) Për zonat urbane të njësive të vetëqeverisjes vendore në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Pogradec, Lezhë, Krujë dhe Kavajë, 1080 lekë/m2;

b) Për zonat urbane brenda vijave kufizuese të njësive të vetëqeverisjes vendore të tjera, 720 lekë/m2;

c) Për zonat rurale llogaritet duke iu referuar tarifës së privatizimit të truallit në zonën periferike të njësisë së vetëqeverisjes vendore më të afërt me banesën që do të privatizohet e duke shumëzuar këtë tarifë me koeficientin 0.3.

 

Vlera e privatizimit, sipas pikës 19, të këtij vendimi, shumëzohet me indeksin e korrigjimit të çmimeve, duke marrë për bazë muajin dhjetor 1992.

Shpenzimet administrative të privatizimit përcaktohen rast pas rasti për çdo privatizim, duke llogaritur të gjitha shpenzimet e kryera për realizimin e procesit të privatizimit, si: regjistrimi i pronës, noterizimi i kontratave, taksa e tatime të aplikueshme e të ngjashme me këto, të cilat mbulohen nga përfituesi i privatizimit. Para nënshkrimit të kontratës, përfituesi i privatizimit paguan shpenzimet administrative të parashikuara në pikën 24, të këtij vendimi. Me pagimin e këtij detyrimi, përfituesi i privatizimit ka të drejtë të nënshkruajë kontratën, duke paguar vlerën e privatizimit në mënyrë të menjëhershme ose me këste mujore të përballueshme, sipas parashikimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me 2% interesa në vit.

 

Titullari i EKB-së, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose personat e autorizuar prej tyre lidhin kontratën e privatizimit, ku përcaktohen:

a) palët nënshkruese të kontratës;

b) objekti i privatizimit, apartamenti, banesa individuale dhe trualli përkatës;

c) vlera e privatizimit, që i takon të paguajë personi përfitues;

ç) mënyra e shlyerjes së vlerës së privatizimit;

 

d) mënyra e arkëtimit të vlerës së privatizimit;

dh) kalimi i së drejtës së pronësisë mbi apartamentin;

e) sanksionet, në rastin e mospërmbushjes në kohë të detyrimit.

Kontrata e privatizimit formalizohet me akt noterial dhe mbahet në 4 (katër) kopje identike, prej të cilave: 1 (një) kopje e mban noteri, 1 (një) kopje i jepet subjektit përfitues, 1 (një) kopje mbahet nga struktura përgjegjëse në dosjen e privatizimit dhe 1 (një) kopje së bashku me dokumentacionin e dosjes së privatizimit i dërgohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrim nga struktura përgjegjëse e EKB-së ose e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

 

Për kontratat e privatizimit me këste mujore, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore lidh me subjektin/subjektet përfituese kontratë shitjeje me rezervë të pronës, deri në shlyerjen e plotë të vlerës së privatizimit dhe shpenzimeve përkatëse me afat kohor jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet. Kjo kontratë bëhet pjesë e dosjes së privatizimit dhe regjistrohet në ASHK me shënimin e rezervës së pronësisë. Me shlyerjen e plotë të vlerës së privatizimit, struktura përgjegjëse për privatizimin, për ndjekjen dhe zbatimin e kontratës së privatizimit në EKB ose në njësinë e vetëqeverisjes vendore, lëshon vërtetimin përkatës, në favor të subjektit përfitues, sipas modelit të shtojcës 2, bashkëlidhur këtij vendimi. 

 

Ky vërtetim depozitohet nga përfituesi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Me bashkimin e vërtetimit për shlyerjen e plotë të vlerës së privatizimit në dosjen e privatizimit të depozituar në ASHK, pronësia mbi apartamentin, banesën individuale dhe truallin përkatës kalon në favor të personit përfitues. Me regjistrimin në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, personi përfiton të drejtën e marrjes së certifikatës së pronësisë mbi apartamentin a banesën individuale dhe truallit përkatës.

Privatizimi, sipas këtij vendimi, ka afat deri në 2 (dy) vjet nga hyrja në fuqi e tij.

Subjekti humbet të drejtën për të kërkuar privatizimin e banesës, në të cilën është strehuar, kur:

 

a) nuk depoziton kërkesën;

b) nuk depoziton dokumentacionin e përcaktuar në pikat 9 e 11, të këtij vendimi;

c) refuzon që të paguajë vlerën e privatizimit të banesës ose të objektit të kthyer në banesë.

Kur ndonjë nga anëtarët madhorë të familjes, që figuron si pjesëtar në certifikatën e gjendjes familjare të saj, nuk banon në banesë në momentin e privatizimit, nuk merr njoftimin për privatizim e, për rrjedhojë, nuk dorëzon dokumentacionin e nevojshëm e nuk paraqitet për të lidhur kontratën, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore bën njoftimin me shpallje publike në faqen e saj zyrtare on-line. Nëse pas 3 (tre) muajve nga shpallja publike personi përsëri nuk paraqitet, atëherë procedura e privatizimit vijon dhe kontrata lidhet me anëtarët e tjerë madhorë të familjes.

 

Kur ndonjë nga anëtarët madhorë të familjes, që figuron si pjesëtar i certifikatës së gjendjes familjare të saj, heq dorë nga privatizimi, atëherë e drejta e tij/saj u kalon anëtarëve të tjerë të familjes, duke u ndarë në pjesë të barabarta sipas rregullave për heqjen dorë, parashikuar në nenin 191, të Kodit Civil. Të gjitha banesat që nuk privatizohen dhe janë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore i shtohen fondit publik të banesave sociale. E drejta e pronësisë mbi banesat e EKB-së që mbeten pa privatizuar kalon në favor të njësive të vetëqeverisjes vendore në territorin e të cilave ndodhet banesa, që t’i shtohen fondit publik të banesave sociale. Shpenzimet administrative për procedurat e kalimit të pronësisë do të përballohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore./Burimi:Scan


Më të lexuarat