Se shpejti funksional aeroporti i Kukesit, dhe nje aeroport ne jug te vendit
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka theksuar gjatë inaugurimit të djeshëm të 2 linjave Tiranë-Paris dhe Tiranë-Bruksel nga “Adria Airways”, se Shqipërisë i duhen aeroporte të reja me qëllim që të zhvillojë ekonominë, veçanërisht sektorin e turizmit.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë ditën e djeshme në ceremoninë e inaugurimit të fluturimit direkt Tiranë – Paris.
Në këtë ceromoni ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Rolf Castro-Vasquez, si dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Adria Airways, Mark Anzur dhe ambasadori francez në Shqipëri, Bernard Fitoussi.
Hapja e tregut të fluturimeve
Ministri Haxhinasto në fjalën e tij vlerësoi hapjen e kësaj linje si zhvillim të rëndësishëm në industrinë e aviacionit civil në Shqipëri dhe veçanërisht hapja e tregut që po reflekton cilësi më të lartë shërbimesh për qytetarët shqiptarë dhe kosto më të ulët. “Hapja e tregut në këtë 1 vit e gjysmë të fundit ka treguar qarte se kemi një ulje të cmimit të biletave deri në masën 30%”, tha ai.
Ministri Haxhinasto cilësoi se linjat e reja direkte drejt Frankfurt, Paris dhe Brukselit përbëjnë rreth 10 % në rritjen e lidhshmërisë të aeroportit të Rinasit “Nënë Tereza” me destinacionet evropiane. Ai nënvizoi se është e rëndësishme të konsiderohet se sipas fakteve evropiane në këtë industri, kjo çështje ndikon në rritjen e GDP-së në masën 0. 5 % për çdo banor.
Qëndrueshmëria e partneritetit me Tirana International Aeroport u vlerësua si pozitive nga ministri, por ai cilësoi si sfidë kryesore plotësimin e spektrit të shërbimeve në këtë aeroport. “Një fakt i mirëpritur është se shifrat e rritjes së qarkullimit te pasagjerëve në aeroportin e Tiranës janë gati 2.5 herë më të larta se mesatarja e industrisë evropiane. Ndërkohë që kemi akoma shumë për të bërë për të plotësuar spektrin e shërbimeve në këtë aeroport. Nuk kemi ende prezente kompanitë e fluturimit lowcost, ende nuk kemi targetuar segmentin e turistëve dhe akoma nuk kemi arritur nivele të kënaqshme në shërbimet kargo, tha ai.
Shqipërisë i duhen dy aeroporte të reja
“Shqipërisë i duhen aeroporte të reja, me qëllim qe të zhvillojnë ekonominë e veçanërisht sektorin e turizmit. Në planet tona, duhet të hyjë në funksion normal aeroporti i Kukësit, si dhe një aeroport i ri në jug të vendit, për t’i shërbyer kryesisht industrisë së turizmit.
Zhvillimi në këtë sektor mbështetur nga logjika ekonomike, ku sipas mesatares në industrinë evropiane për çdo 1000 pasagjerë të rinj krijohet një vend pune “Kjo do të thotë se nëse arrijmë volumin normal të rritjes, në 5 vitet e ardhshme të ketë mbi 600 vende të reja pune vetëm në industrinë e shërbimeve aeroportuale.
Prandaj sot është momenti t’i bëjmë ftesë edhe të rinjve, të angazhohen në këtë industri të rëndësishme me të ardhme të sigurt në Shqipëri, ndaj ju bëj thirrje të shkollohen në fushën e aviacionit, vendit i duhen kapacitete të kualifikuara”, theksoi Haxhinasto.