Miratohet projekti per Loro Boricin, stadiumi me standarte te UEFA-s
Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur për të nisur punimet për rikonstruksionin e Stadiumit “Loro Borici”. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama menjëherë pas mbledhjes së zhvilluar në qytetin e Shkodrës.
“U vendos për rindërtimin e stadiumit të Shkodrës sipas standarteve të UEFA-s. Ky qytet tashmë do të ketë një stadium ambicioz, ashtu siç e meriton”, theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri shtoi se “projekti për stadiumin do të prezantohet brenda disa ditësh”.
“Loro Boriçi” do të bëhet kështu impianti i dytë në vend ku mund të luajë skuadra kombëtare. Aktualisht, kushtet e kërkuara për një ndeshje ndërkombëtare në vendin tonë i plotëson vetëm “Elbasan Arena”. Sipas projektit stadiumi i ri në Shkodër do të mbajë 17 mijë tifozë dhe do të kushtojë rreth 15 milionë euro. Rama nuk ka harruar të bëjë batuta edhe për datën 1 Prill, pasi sipas kryeministrit shkodranët e kanë patur 1 Prill gjithë vitin për shkak të gwnjeshtrave gjatë qeverisë së djathtë. E ndërkohë shefi i qeverisë ka theksuar se dëmshpërblimet për pronat e banorëve përreth stadiumit do të bëhën sipas ligjeve në fuqi.