Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës hodhën sot hapin e parë të rëndësishëm për vitin 2015 për t’i ofruar lehtësi biznesit të të dy vendeve, sipas burimeve zyrtare.
Pas memorandumit të 23 Marsit, mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, palët kanë nisur krijimin e grupeve të punës së përbashkët për të njehësuar procedurat doganore.
Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Irena Beqiraj, pas një takimi të zhvilluar me homologun e saj të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se duke nisur nga 1 Maji, do të fillojë tranziti i përbashkët, dhe në këtë mënyrë kufiri nuk do të jetë një pengesë. Sipas saj, procedurat do të jenë të thjeshtuara dhe do të hiqen kostot e terminaleve dhe ato të transportit brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Kjo nismë vlerësohet si një lehtësi e madhe, sidomos për produktet ushqimore dhe bujqësore, pasi shkurtohet koha e pritjes në terminal, në mënyrë që këto produkte të dalin të freskëta në tregjet përkatëse.
Një lehtësi tjetër për biznesin, do të jetë edhe marrëveshja për tatimin e dyfishtë, por do të jetë funksional pas miratimit në parlamentin e Kosovës. Më herët, zonja Beqiraj zhvilloi një takim edhe zëvëndësministrin e financave të Kosovës, Agim Krasniqin. I pranishëm në këtë takim, ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.