Sipermarrja ne drejtim te kolapsit: 8 propozimet nga shoqatat e biznesit per qeverine
Dhomat e Tregtisë në një shkresë zyrtare kanë kërkuar 8 masa mbështetëse për sipërmarrjen, e cila sipas tyre po i drejtohet kolapsit.
Në shkresë thuhet se Masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, si dhe zgjatja në kohë e këtyre masave, kanë prekur në mënyrë të drejtëpërdrejt bizneset duke shkaktuar një dëm serioz aktual dhe duke u shndërruar në një skenar shumë të rrezikshëm për të ardhmen e sipërmarrjes private në veçanti dhe ekonomisë shqiptare në tërësi.
Nisur nga situata që sipërmarrja private po përjeton si dhe faktit që ekonomia shqiptare është e brishtë dhe jo e gatshme të përballojë sfida të mëdha, përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit, pas një konsultimi të detajuar për një periudhë 2 javore, me të gjithe sektorët e sipërmarrjes private që operojnë në territorin e Repubikës së Shqipërisë, e shikojnë si domosdoshmeri ndërhyrjen nga ana e qeverisë shqiptare me një paketë të detajuar financiare, kurajoze dhe të zgjuar.
Konkretisht, propozojmë si më poshtë vijon:
1. Të kompensohen pagat e punonjësve dhe të përjashtohen nga të gjitha detyrimet fiskale deri në kthimin në normalitet, të gjitha:
a. Sipërmarrjet e sektorit të transportit të udhëtarëve urban, ndërurban dhe ndërkombëtare.
b. Sipërmarrjet e sektorit të hoteleri turizmit dhe agjensitë e rrugëtimit.
c. Sipërmarrjet e biznesit të vogël dhe të mesëm që janë të mbyllura si pasojë e masave shtrënguese.
2. Të përjashtohen deri në kthimin e normalitetit nga:
a. Detyrimet fiskale (tatim fitimi, tvsh, sigurimet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi në burim) për të gjitha sipërmarrjet që të ardhurat e muajt mars 2020 janë 20% më pak se mesatarja e muajt shkurt dhe janar 2020.
b. Të aplikohet 20% ulje të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe ujë për të gjitha sipermarrjet në sektorin e prodhimit.
c. Detyrimet e sektorit të hotelerisë për taksën vendore (lek/krevat) si dhe të gjitha taksat e tjera vendore që kanë të bëjnë me pasuritë e sipërmarrjes private deri në kthimin e normalitetit.
d. Të gjitha detyrimet nga taksat vendore për mjetet e trasnportit të udhëtarëve dhe ambienteve që përdoren dhe shërbejnë për aktivitetin e biznesit edhe nëse këto ambiente janë me kontratë qiraje dhe jo vetëm në pronësi të vetë sipërmarrjes.
dh. Subvencion i 50 % të vlerës së qirasë për të gjitha sipërmarrjet e pezulluara nga masat shtrënguese për muajt mars dhe prill.
e. Për automjetet e transportit te pasagjereve të shtyhet vlefshmëria e siguracionit dhe taksave për një periudhë të barabartë me kohëzgjatjen e pezullimit të veprimtarisë, por jo me pak se 3 muaj.
ë. Të shtyhen për një periudhe 3 mujore vlefshmëritë e të gjitha autorizimeve apo liçensave që sipërmarrja private posedon në ushtrimin e aktivitetit.
3. Të përjashtohen nga të gjitha detyrimet e pikës 2 si dhe të kompensohen nga qeveria shqiptare të gjithë punonjësit e kompanive që të ardhurat e muajt mars 2020 janë 30% më pak se mesatarja e muajt janar dhe shkurt 2020. (Në rast se kompanitë nuk kanë bërë shkurtime më shumë se 10% të fuqisë punëtore).
4. Garancia sovrane e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private duhet të jetë e pa limituar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që kanë një rënie të të ardhurave në muajin mars 2020 më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimi.
Këto sipërmarrje, aplikojnë për kredi vetëm:
– për likuidimin e pagave të punonjësve
– për likuidimin e furnitorëve
– për kapital qarkullues.
Garancia sovrane duhet të ofrohet:
a. Me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2%.
b. Shlyerja e kësaj kredie të fillohet në janar të vitit 2021, gjithmonë nëse jemi në fazën e kthimit në normalitet.
c. Kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më shumë se 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredimarrëse.
5. Të rishikohet me mënyrë të përshpejtuar proçeduriale buxheti, duke hequr dorë nga investimet dhe shërbimet publike jo bazike në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në mënyrë që të krijohen instrumentat financiare për të përballuar situatën covid-19.
6. Qeveria shqiptare (institucionet e pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal), të marrë masat që të likuidojë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit prill 2020, si dhe të shlyej në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë të anulluara me apo pa rishikim buxheti.
7. Të pranohet automatikisht nga sektori financiar kredidhenes kërkesa e sipërmarrjes private si kredimarrës për riskedulimin e kredisë (shtyerje afati të paktën 3 muaj) dhe në varësi të situatës së masave shtrënguese.
8. Për të gjitha donacionet, që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës Covid-19, kërkojmë njohjen e tyre si shpenzim i zbritshëm nga sistemi fiskal.
Miratimi i kërkesave të mësipërme, propozuar nga të gjitha përfaqësitë e sipërmarrjes private, do të sjellë një lehtësim të situatës duke bërë të mundur dhe rikuperimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik.
Duke shpresuar në bashkëpunim dhe bashkërendim të qeverisë që Ju përfaqësoni, sistemi i dhomave të tregtisë dhe industrisë së Shqipërisë, si edhe të gjithë shoqatat e sipërmarrjes private në Shqipëri, janë të angazhuara për të qënë pjesë e tryezave dhe debatit teknik në mënyrë që qeveria shqiptare të hartojë një paketë financiare suportuese në dobi të sipëmarrjes private dhe ekonomisë shqiptare në tërësi.
Kryetarja e bashkimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë Shqipëri, zonja Ines Muçostepa, përfaqëson dhe të drejtat e këtij bashkimi dhomash tregtie dhe shoqata biznesi që mbështesin këtë paketë financiare.
RELACION ARGUMENTUES
Lidhur me propozimin e pikës së parë:
Masat shtrënguese të miratuara për të parandaluar përhapjen e virusit covid-19 janë ndjerë sidomos në sektorin e turizmit, të transportit dhe biznesit të vogël. Për më tepër që sektori i turizmit sapo rimëkëmbej nga pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, i cili i dha një goditje të rëndë, sidomos hotelerisë në bregdet.
Gjithashtu paralizimi i transportit si pasojë e masave shtrënguese ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë humbje të mëdha financiare për të gjithë operatorët.
Mbyllja e aktivitetit ekonomik ka vendosur në sprovë dhe biznesin e vogël dhe të mesëm duke qenë dhe më i ndjeshëm ndaj këtyre situatave.
Duke parë specifikën e veçantë që kanë këto sektorë, kanë nevojë për një vëmëndje të madhe nga ana e qeverisë shqiptare.
Lidhur me propozimin e pikës së dytë:
Të gjithë sektorët e ekonomisë janë të lidhura ngushtë me njeri tjetrin.
Ne kërkojmë që deri në rikthimin e normalitet në vend, të kombinohen lehtësira fiskale, shtyrje dhe në raste të veçanta anullimin e disa detyrimeve të bizneseve, riskedulimin e tatim fitimit, tvsh, sigurimet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi në burim, për të gjitha kompanitë që të ardhurat e muajt mars 2020 janë 20% më pak se mesatarja e muajt shkurt dhe janar 2020. Për t’ju ardhur në ndihmë sipërmarrjes, kërkojmë nga shteti marrjen në konsideratë të këtyre kërkesave jetike për vazhdimin e bizneseve, pasi rënia e prodhimit dhe bllokimi i aktivitetit të tyre shumë shpejt do të përkthehet në një rënie të të ardhurave buxhetore dhe rritje të defiçitit publik.
Për të siguruar vijueshmërinë, edhe pse me staf të reduktuar, bizneset kërkojnë nga OSHEE, furnizimin pa ndërpreje si dhe reduktimin e çmimit në 20% ulje për furnizimin me energji elektrike dhe një reduktim në çmimin për furnizimin me ujë për të gjitha kompanitë në sektorin e prodhimit. Precedenca të ngjashme kanë ndodhur në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, për të krijuar sado pak lehtësi në përballimin e kësaj situate është e domosdoshme subvencionimi i 50% të qirasë për të gjitha ato sipërmarrje që kanë pezulluar aktivitetin e tyre tregtare në respektim të masave shtrënguese. Zgjatja në kohë e këtyre masave duke bllokuar aktivitetin e tyre natyrshëm do të sjelli humbje të mëdha financiare, ndaj lind si domosdoshmëri mbështetja nga ana e qeverisë shqiptare.
Lidhur me propozimin e pikës së tretë:
Vështirësitë me të cilat po përballet biznesi do të reflektohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe tek punëmarrësit e saj. Pamundësia për të përmbushur obligimet e biznesit si rezultat i masave shtrënguese kërkon mbështetjen e menjëhershme të qeverisë. Aktualisht qeveria shqiptare ka parashikuar në paketën ekonomike ndihmëse vetëm për bizneset me qarkullim deri në 14 milion lekë, duke premtuar pagë për të vetëpunësuarit dhe familjarin e vetëdeklaruar të vetëpunësuarit.
Për sa më sipër, është e domosdoshme krijimi i lehtësirave për të gjithë sipërmarrjet që të ardhurat e muajit mars 2020 janë 30% më pak se mesatarja e muajit janar dhe shkurt 2020, duke i përjashtuar nga të gjitha detyrimet fiskale (tatim fitimi, tvsh, sigurimet shoqërore, tatimit mbi të ardhurat dhe tatimi në burim), taksat vendore si dhe kompesimi nga qeveria shqiptare e të gjithë punonjësvë të këtyre kompanive, në rast se kompanitë nuk kanë bërë shkurtime më shumë se 10% të fuqisë punëtore.
Kërkesa e propozuar synon sigurimin e likuiditetit të nevojshëm si dhe moscënimin e vendeve të punës për punonjësit e sipërmarrjes që përballen çdo ditë me sfidat e gjendjes së jashtëzakonshme.
Lidhur me propozimin e pikës së katërt:
Referuar situatës ekonomike të krijuar nga masat shtrënguese, pamundësisë financiare të bizneseve për të shlyer detyrimet fiskale, për të likujduar në vazhdimësi pagat e punonjësve propozojmë marrjen e masave për hapjen sa më shpejt të aplikimeve për përfitimin e kredisë përmes garancisë sovrane. Garancia sovrane e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private, nëpërmjet Paketës Ekonomike të miratuar nga qeveria shqiptare, duhet të jetë e pa limituar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që kanë një rënie të të ardhurave në muajn mars 2020 më shumë se 10 % e mesatares e muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe të peshkimit. Këto sipërmarrje duhet të aplikojnë për kredi, vetëm për likuidimin e pagave të punonjësve, likuidim të furnitorëve dhe kapital qarkullues.
Gjithashtu, duke pasur parasysh dhe faktin që në Paketën Emergjente Fiskale të miratuar nga qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ndër pikat kryesore si mbështetje për biznesit ishte edhe sigurimi i kredisë me 0% interes për sipërmarrjet që kanë vështirësi financiare për shkak të emergjencës së shëndetit publik, propozojmë që garancia sovrane të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0.2%. Duke qenë se ende nuk ka një parashikim se sa do të jetë kohëzgjatja e masave shtrënguese propozojmë që shlyerja e kësaj kredie të fillohet në janar të vitit 2021 ose në një afat që gjykohet i arsyeshëm, gjithmonë nëse do të jemi në fazën e kthimit në normalitet. Kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më shumë së 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredimarrëse.
Lidhur me propozimin e pikës së pestë:
Një ndër përparësitë e qeverisë shqiptare duhet të jetë dhe rishikimi i përshpejtuar i buxhetit, duke përjashtuar të gjitha investimet dhe shërbimet publike të cilat konsiderohen jo bazike në përputhje dhe me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Rishikimi i buxhetit duhet të reflektojë situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi, duke pezulluar ose shtyrë në kohë pagesat e kontratave konçensionare dhe anulimin e projekteve të tilla për të cilat ende nuk kanë filluar punimet, me qëllim pasjen e fondeve të domosdoshme për të lehtësuar rifillimin e aktivitetit ekonomik në vend.
Lidhur me propozimin e pikës së gjashtë
Ndër të tjera, dhomat e tregtisë dhe shoqatat e sipërmarrjes private, kërkojnë nga qeveria shqiptare, specifikisht nga institucionet e pushtetit qëndror dhe institucionet e pushtetit lokal, marrjen e masave për likuidimin e të gjitha detyrimeve ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit prill 2020. Shlyerjen në kohë të të gjithë detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë të anuluara me apo pa rishikim buxheti.
Referuar dhe modeleve të ndërhyrjes me paketa financiare në ekonomi nga qeveri të ndryshme dhe qasjes së tyre në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia covid-19 është e rëndësishme që krahas implementimit sa më të shpejt të paketës ekonomike, qeveria shqiptare duhet të angazhohet në shlyerjen e të gjithë detyrimeve që ka ndaj sipërmarrjes private, për të siguruar likuiditet të mjaftueshëm në lehtësimin e pasojave të ardhura nga masat shtrënguese.
Lidhur me propozimin e pikës së shtatë
Ndodhur në kushtet e ndërprerjes së veprimtarisë normale të aktivitet tregtar të sipërmarrjes private dhe pamundësisë financiare për të shlyer detyrimet fiskale është domosdoshmëri pranimi i kërkesës së sipërmarrjes si kredimarrës për riskedulimin e kredisë dhe shtyrjen e aftatit për të paktën 3 muaj dhe në varësi të vijushmërisë së masave shtrënguese.
Si pasojë e kësaj situate, duke pasur një rënie të ndjeshme të arkëtimeve, të gjitha bizneset hasin vështirësi në likuidimin e detyrimeve ndaj bankave. Ndaj kërkojmë pranimin e kërkesës për shtyrje të kredive të çdo subjekti dhe shmangien e pengesave proçeduriale dhe burokratike në dhënien e këtij shërbimi bizneseve të prekura nga masat shtrënguese./Burimi: Monitor.al