Secondary Adv

Pune nga shtepia dhe biznese ne krize: Si pritet te ndryshoje tregu i qirave

Pas një “ngrirje” gati tremujore të segmentit të tregut të zyrave me qira për shkak të pandemisë, “ujërat” kanë filluar të lëvizin edhe pse ngadalë.  

 

Të parët janë bizneset e mëdha që po kërkojnë hapësira të reja më ekonomike, pasi qiradhënësit aktualë nuk janë treguar elastikë për rishikimin e çmimeve. Numri i atyre që duan të ndryshojnë ambient mbetet ende i vogël pasi, së pari ka nevojë për një bilanc dhe, së dyti, hapësirat e disponueshme për zyra mbi 500 metra janë të kufizuara. Operatorët e tregut presin që situata të qartësohet brenda 3-4 muajve të ardhshëm. Çmimet e ambienteve të disponueshme do të pësojnë ulje, nëse kriza thellohet dhe kjo mund të mbështetet edhe nga hyrja në treg e stokut të ri nga projektet, të cilat po zhvillohen në zemër të kryeqytetit. 

 

Puna nga shtëpia, si alternativë “ekonomike”, mbetet për t’u vlerësuar rast pas rasti, por për Shqipërinë duket e vështirë. Vit pas viti, bizneset janë përpjekur për të rritur frymën e bashkëpunimit mes stafit dhe kjo niste nga “shembja” e mureve brenda zyrave. Ndarjet nga njëri-tjetri ishin zvogëluar, teksa hapësirat janë bërë më ekonomike, ku edhe më të mëdhenjtë në numër punonjësish janë përshtatur brenda ambienteve më të vogla. Nën moton e harmonisë mes stafit dhe rritjes së produktivitetit, “fshihej”, ndër të tjera, edhe një ulje kostosh. 

 

Por tashmë, COVID-19 do të detyrojë bizneset jo vetëm të ngrenë “muret” e shembura ndër vite, por edhe kur punonjësit janë brenda zyrave, takimi i tyre të bëhet me videokonferencë. Sëmundja COVID-19 pritet që të ridimensionojë tregun e pasurive të paluajtshme dhe në mënyrë më specifike, edhe për segmentin e zyrave me qira, por efektet reale të kësaj priten të duken pas disa kohësh. Për një pjesë të bizneseve, mbetet e paqartë hapësira që do t’u duhet për t’iu përshtatur protokolleve të reja. 

 

Ato do të duhet të zgjidhin dilemën nëse do të zvogëlohen në staf apo do të rrisin sipërfaqen e zyrës. Një tjetër mundësi është alternimi i punës nga shtëpia me rotacion për një pjesë të stafit, duke krijuar mundësi për më pak punonjës brenda ambientit e duke zvogëluar rrezikun e transmetimit të virusit. Shqipëria nuk është një ishull i izoluar dhe ndaj pritet që efektet e koronavirusit të ndihen edhe në segmentin e tregut të zyrave me qira, duke vënë biznesin para të njëjtave dilema.  

 

Qiradhënësit nuk pranojnë negocim, bizneset e mëdha në kërkim të zyrave të reja

Numri i bizneseve që kanë arritur të fitojnë apo të mbajnë një lloj niveli të ardhurash gjatë kësaj pandemie është i ulët. Përveç atyre të lidhura direkt me situatën e pandemisë, si prodhuesit e maskave, farmaceutika, biznesi i dezinfektimit apo i prodhimit të dezinfektuesve, pjesa tjetër po vuajnë pasoja të rënda. Të rikthyer në punë, shumica po mundohen të gjejnë mundësinë për të shkurtuar shpenzimet. Një pjesë e nisi me shkurtimin e stafeve, të tjerë me negocimin e qirave. Por në këtë pikë duket se nuk është gjetur mirëkuptimi me palën tjetër të qiradhënësve, të cilët nuk kanë qenë dakord me uljen e tyre. 

 

Ata që po kërkojnë ambiente të reja sot janë kryesisht bizneset e mëdha. “Disa kompani, kryesisht biznese të mëdha, kanë filluar të kërkojnë ambiente më të lira nga ato që kanë aktualisht, për shkak të vështirësive. Ato që janë të vendosura në një ambient po përpiqen t’i ndryshojnë, por nuk është shumë e lehtë. Ndihet një lloj kërkese për këtë lloj prone, për zyra, çka do të thotë se tregu është në zhvillim” – pohon Genc Zike, Menaxher i Përgjithshëm i agjencisë DevInf. Sipas tij, negocimet me qiradhënësit nuk kanë qenë të lehta dhe këta të fundit nuk kanë pranuar të ulin çmimet në rastet kur ju është kërkuar për shkak të vështirësive.

 

Të njëjtën gjë pohon edhe Stela Dhami, Drejtore e Colliers International Albania. “Pak qiradhënës janë treguar fleksibël dhe mirëkuptues ndaj qiramarrësve dhe kanë ofruar brenda mundësive financiare ulje, deri në 100% të vlerës së qirasë për muajt e parë e më pak për majin” nënvizon Dhami. Aktorët e tregut pohojnë se bizneset nuk janë të qarta për nevojat tyre të reja, hapësirat që do t’ju duhen sipas protokolleve dhe zgjidhja që do t’i japin ata kësaj nevoje. Kufizimet që ka sjellë me vete COVID-19, të cilat lidhen edhe me transportin publik, nuk pritet të favorizojë “emigrimin” e biznesit drejt periferive, ku mund të siguronin hapësira më të lira për zyra.

 

“Tirana, ku pozicionohen më shumë zyrat, ofron mundësi me çmime të përballueshme edhe brenda qytetit. Për më tepër, prej situatës së COVID-19 me transporte publike të kufizuara, nuk besojmë se qiramarrësit do të shpërngulen jashtë qytetit” – shprehet Jonian Antoni, Administrator i Century 21 Albania. Gjasat janë që nëse kriza ekonomike thellohet në të gjithë sektorët, sikurse në fakt po e tregon koha, qiradhënësit do të vihen para alternativës së lënies bosh të ambientit apo rishikimit të çmimit dhe ndoshta mund të ketë një zhvendosje drejt të dytës. 

 

“Tregu i real estate është shumë i ngadaltë. Ndoshta mund të rishikohen çmimet nëse do të thellohen vështirësitë ekonomike në vijim kur të duken plotësisht efektet dhe që për rrjedhojë do të reflektohet edhe te një lloj tolerimi nga qiradhënësit, por nuk është ky momenti. Nuk ka pasur kërkesa të reja, pasi nuk ka as biznese të reja. Kush mund të marrë nismë për një biznes të ri në këtë kohë?” pohon Ilda Zaloshnja nga The Point.

 

Çfarë ofron sot tregu, çmimet dhe zonat më të preferuara për zyra

Zyrat e integruara brenda godinave MIX-USE (godina me ndërthurje për banim dhe hapësira biznesi) mbeten të parapëlqyerat e biznesit sot. Kanë një çmim të përballueshëm brenda Tiranës, kryesisht brenda zonës së Unazës. “Tregu sot ka në disponim zyra në qendrat e biznesit, por sigurisht ato kanë çmim më të shtrenjtë dhe nuk kërkohen. Zyrat e mirëfillta brenda godinave miks, me banimin të integruar, kanë kërkesë. Janë me çmim më të leverdishëm, por nuk ka shumë njësi të tilla” – shprehet Genc Zike nga DevInf.   

 

Sa i takon zonave me më shumë kërkesë brenda Tiranës, Jonian Antoni nga Century21 Albania shprehet se mbeten ato që kanë qenë tradicionalisht vitet e fundit. “Në tregun e zyrave, flasim kryesisht për zyra brenda Unazës së Vogël të Tiranës, pra zonat e Bllokut, Radio Televizioni dhe zona e qendrës së Tiranës. Në vende të tjera, mungon infrastruktura për zyra. Tirana ka një problem të konsiderueshëm, sepse shumë godina janë të tipit MIX-Use (përdorim i përzier) pra ofrojnë edhe zyra, edhe banim. Kjo nuk i bën atraktive për shumë kompani” nënvizon ai. 

 

Stela Dhami, nga Colliers International Albania, pohon se zhvillimi i disa projekteve të reja pritet që të rrisë ofertën në treg në afatmesëm sa u takon stokut të zyrave, çka do të bëjë që të ndryshojnë edhe çmimet në pjesën qendrore të Tiranës. “Oferta mbetet e njëjtë, sepse nuk kanë hyrë në stok prurje të reja, por në afatmesëm, me realizimin e projekteve në ndërtim, pritet rritje e stokut dhe për rrjedhojë, një presion për të ulur qiranë në godinat e qendrës së Tiranës” shprehet Dhami. Edhe Ilda Zaloshja, nga The Point, shprehet se ndërtimet e reja në zona prestigjioze do të çlirojnë tregun. 

 

“Hapësirat janë të kufizuara për ambiente të mëdha. Nuk është shumë e lehtë të gjesh të tilla. Ka një lloj çlirimi të tregut që erdhi nga futja stok e ambienteve pjesë e stadiumit të ri, por edhe për këtë, është ende herët të flasim pasi rigjallërimi ishte për bar-restorant dhe zyra dhe për shkak të situatës gjithçka mbeti pezull. Mendoj se ndërtimet e reja do t’i japin mjaft hapësira tregut të zyrave me qira. Këto janë ndërtime në zona shumë prestigjioze dhe pjesa komerciale do të ketë treg” thekson Zaloshnja./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat