Secondary Adv

Kostot e ndertimit te banesave u rriten lehte ne 2020: Por cmimet nuk ndalen

Kostot në sektorin e ndërtimit janë rritur me vetëm 0,5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, por çmimet në sektorin e banesave po rriten me ritme shumë më të larta.

 

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2020 arriti 104,3, duke shënuar rritje me 0,5 %, në krahasim me tremujorin e parë 2019. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit “Shpenzime transporti” pësoi rritje me 2,1 % dhe indeksi i grupit “Kosto të tjera” pësoi rritje me 1,6 %. Ndërsa ulje kanë shënuar grupet “Shpenzime materiale” me 0,6 % dhe “Shpenzime për paga” me 0,3 %. Në tremujorin e parë 2020 ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim shënoi rritje me 0,2 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, rritje kanë shënuar grupet “Kosto të tjera” me 2,9 % dhe “Shpenzime transporti” me 0,8 %. 

 

Ndërsa ulje kanë shënuar grupet “Shpenzime për paga” me 0,9 %, “Shpenzime makinerie” me 0,8 % dhe “Shpenzime materiale” me 0,3 %. Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka pësuar një zhvillim dinamik ndër vite, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe tendencave ekonomike dhe demografike. Keydata Albania është indeksi i parë i pronave në Shqipëri, ndërtuar mbi 5.1 milionë të dhëna të mbledhura që prej fillimit të viteve 2000. Çmimi mesatar i shitjes së një prone në Tiranë në 2019-n ishte 1005 euro për metër në katror. 

 

Ndërsa në 2005-n, një pronë në Tiranë shitej me një çmim mesatar prej 662 euro për metër në katror, duke shënuar kështu një rritje me 1.5 herë. Të dhënat janë publikuar nga Keydata Albania, indeksi i pronës, i prodhuar nga “Çelësi”, ka nxjerrë të dhënat e para mbi ndryshimet në tregun e patundshmërisë në vend. Rreth 5.1 milionë të dhëna të mbledhura nga njoftimet ndër vite mbi pronat në shitje në Shqipëri janë përpunuar për të prodhuar këtë indeks. Sipas INSTAT indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate)./Burimi: Monitor


Më të lexuarat