Secondary Adv

Pandemia godet rende transportin: Sa jane humbjet dhe cfare pritet te ndryshoje

Sektori i transportit në Shqipëri ende nuk është “shëruar” nga koronavirusi, madje kompanitë e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve po mbyllen. 

 

Qeveria nuk ka një vendim për rinisjen e punës së sektorit, çka ka vënë në vështirësi si kompanitë ajrore për të hartuar një plan për fluturimet, por edhe operatorët e transportit rrugor që parashikojnë falimentim, nëse do të punohet pa lehtësi fiskale dhe përgjysmim kapaciteti. Humbjet në tre muaj nga ndërprerja e aktivitetit të këtij sektorit vlerësohen të paktën 80 milionë euro. Bizneset e prekura nga mbyllja e aktivitetit mund të shohin si zgjidhje rritjen e çmimeve të biletave. Alba–Trans, një ndër kompanitë kryesore të transportit për pasagjerë, vendosi të mbyllë aktivitetin e transportit ndërkombëtar, pas 14 vitesh. 

 

Kriza nga koronavirusi preku edhe këtë kompani, ku për shkak të vështirësive financiare dhe pamundësisë për të vazhduar punën, drejtuesit e saj e morën këtë vendim. Kompania operon në disa linja të Greqisë. Administratorja e agjencisë ndërkombëtare të udhëtimit Alba-Trans, Albana Brati, pohon për “Monitor” se dy janë arsyet që ndikuan te mbyllja e punës, informaliteti dhe konkurrenca e pandershme dhe masat për të punuar me gjysmë kapaciteti për shkak të pandemisë. “Alba-Trans” është vetëm një nga shumë sipërmarrjet e transportit, që po goditen rëndë nga bllokimi i lëvizjeve, si brenda dhe jashtë vendit. Transporti urban, ndërqytetas, detar e ai ajror janë në krizë, që nga mesi i muajit mars, kur gjithçka u mbyll papritmas.

 

Në prill në Rinas fluturuan vetëm rreth 4,000 pasagjerë, nga 240 mijë në të njëjtin muaj të 2019-s, sipas INSTAT. Në situatë të vësjtirë është dhe transporti urban. Drejtori i linjës Kinostudio-Kombinat në kompaninë “Shega Trans”, Kostandin Foni, thotë se humbja për të gjithë operatorët e Tiranës llogaritet 3 milionë euro në muaj. Për periudhën mars-prill-maj, nga mbyllja e punës për transportin urban të Tiranës humbjet janë rreth 9 milionë euro. Arsyet e humbjeve janë amortizimi i lartë i flotës të autobusëve, që nuk kanë lëvizur, si dhe shlyerja e detyrimeve për periudhën 3-mujore kur ky shërbim nuk ka gjeneruar të ardhura.

 

Në fund të ditës, bizneset e prekura shumë rëndë nga mbyllja e aktiviteteve të tyre paralajmërojnë se mund të shohin si zgjidhje rritje të çmimeve, që do të thotë kosto më shumë në xhepat e qytetarëve, ndërsa nuk ka deri më tani një plan konkret të autoriteteve ekzekutive, fiskale tatimore apo enteve rregullatore se çfarë do të bëhet me kërkesat urgjente dhe të shtuara të operatorëve ekonomikë të transportit për një zgjidhje të situatës. Ajo që është edhe më stresuese në të gjithë panoramën zhgënjyese ekonomike është fakti se askush nga aktorët e sektorit të transportit, nuk e di saktë se kur do të kthehet normaliteti apo rifillimi i fluturimeve, si më parë me vendet e tjera. Në sektorin e transportit, sipas të dhënave të INSTAT, operojnë 4,487 subjekte dhe zënë 4,5% të peshës në totalin e ndërmarrjeve në vend. Në sektor, për vitin 2018, numëroheshin 14 mijë të punësuar me rritje rreth 7% nga 2017.

 

Humbjet në tre muaj, të paktën 84 milionë euro

Sektori i transportit kishte rreth 40,8 miliardë lekë të ardhura (rreth 332 milionë euro) për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Mesatarisht qarkullimi mujor i këtij sektori është rreth 28 milionë euro. Mbyllja e aktivitetit të transportit prej 3 muajsh në vend shoqërohet me një rënie të thellë të të ardhurave, të paktën me rreth 84 milionë euro. Pesha e sektorit në Prodhimin e Brendshëm Bruto është rreth 3%, çka do të thotë që kjo pjesë e ekonomisë ka qenë pothuajse e paralizuar. (19% në strukturën e PBB-së e zë bujqësia, 11% tregtia me shumicë dhe pakicë, 6% industria përpunuese etj.)

 

Transporti urban, në ngërç për detyrimet

Puna në shërbimin e transportit urban të Tiranës është pezulluar prej 3 muajsh, për shkak të frikës së përhapjes së virusit. Gjithsej në Tiranë janë 16 linja urbane, por mbyllja e punës, jo vetëm që ka shkaktuar stres dhe lodhje për qytetarët që kanë rinisur punën, por edhe bilancet e kompanive janë me rënie. “Nga operatorët e transportit publik, në këtë periudhë nuk është ndërprerë pagesa e kësteve të kredive, ndërkohë që amortizimi i mjeteve dyfish, pasi nuk janë në lëvizje. 

 

Në këtë shifër janë të përfshira edhe pagat e punonjësve që aktualisht nuk po punojnë. Humbja për transportin publik të Tiranës është e konsiderueshme, ku janë të punësuar një numër i lartë punonjësish, që nga shoferët, faturinët, punonjësit e ofiçinave dhe lavazheve, administratës për të cilët puna është pezulluar”, pohon zoti Foni i Shega-Trans.

 

Çmimet e biletave për transportin ndërqytetas mund të rriten

Transporti ndërqytetas mund të rinisë punën pas 3 muajsh pezullim, më 9 qershor, sipas Kujtim Memës, kryetar i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas të Shqipërisë. Sipas të dhënave të shoqatës, në total për transportin ndërqytetas operojnë rreth 6 mijë mjete. Rifillimi i punës në sektorin e transportit domosdoshmërisht do të shoqërohet me vendosjen e distancës mes pasagjerëve, për shkak të rrezikut të infektimit nga koronavirusi. Por zoti Mema paralajmëron se, nëse ky shërbim do të punojë me 50% të kapacitetit, rrezikon të falimentojë. 

 

“Nëse punohet me gjysmë kapaciteti dhe me çmimin që ka sot bileta, këto të ardhura janë vetëm për shpenzime karburanti dhe pagesat e shoferëve. Nuk mbeten të ardhura për të paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, tatimet apo edhe një pagesë për mbijetesën e familjeve.” Në kushtet e vështirësisë financiare për të mbijetuar, Shoqata e Transportit Ndërqytetas kërkon të rrisë çmimin e biletës 30% të paktën 1 muaj, por ky vendim do të shtyhet, pasi qeveria u ka premtuar marrjen e disa masave fiskale për kapërcimin e situatës. 

 

“Ne i kemi kërkuar qeverisë një zgjidhje për rishikim të masave kur të rinisë puna ose, në të kundërt, do të rrisim çmimin e biletës me 30%. Nëse do të punojmë me gjysmë kapaciteti, pra ku në një sedilje dyshe do të ulet vetëm një pasagjer, ne do të falimentojmë. Ka nisur angazhimi për rishikimin e akcizës së karburanteve, ku për këtë periudhë vështirësie, furnizimi i naftës të mos ketë akcizë, të ulet TVSH-ja, si dhe të heqin taksat vendore që paguan çdo mjet në vlerën e 26 mijë lekëve.”/Burimi: Monitor


Më të lexuarat