Secondary Adv

Dorezohet qeveria per Bonus-Malus: Zbatimi ne vullnetin e kompanive te sigurimit

Pas viteve të tëra diskutimi për sistemin Bonus-Malus, i cili cakton primin e sigurimit të automjetit bazuar në historikin e dëmeve, qeveria është dorëzuar. 

 

Pas viteve të tëra diskutimi për sistemin Bonus-Malus, -i cili cakton primin e sigurimit të automjetit bazuar në historikin e dëmeve-  dhe përfshirjen e tij me detyrim në përcaktimin e primeve të sigurimit të përgjegjësisë për dëmet shkaktuar palëve të treta, qeveria është dorëzuar. Drafti i ri i projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” sanksionon se kompanitë mund të përfshijnë sistemin bonus-malus në përcaktim por kjo nuk është detyruese.

 

Konkretisht në nenin 7 të projektligjit ku flitet për tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm saktësohet se kompanitë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarfiat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike. Në pikën 8 të këtij neni thuhet se “Shoqëria e sigurimit mund të përfshijë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primeve të sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti motorik, me përjashtim të policës kufitare dhe kartonit jeshil”.

 

Në draftin e mëparshëm të këtij projektligji që prej vitesh “fle” në sirtarët e qeverisë zbatimi i bonus-malus nuk ishte me dëshirë por detyrim. Konkretisht në nenin 7 pika 9 dhe 10 sanksiononin se “shoqëria e sigurimit duhet të përfshijë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primeve të sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti motorik, me përjashtim të policës kufitare dhe kartonit jeshil.  Autoriteti përcakton kriteret e sistemit bonus-malus, kategoritë e mjeteve ku zbatohet si dhe të dhënat e nevojshme për zbatimin e këtij sistemi”.

 

Sistemi Bonus-Malus

Edhe koncepti i vetë sistemit Bonus-Malus ka ndryshuar në draftligjin e ri duke u riformuluar në tre pika dhe duke theksuar se tashmë zbatimi i tij është një e drejtë e kompanive dhe si një nga faktorët për primin e sigurimit. “Sistemi bonus-malus është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Sistemi bonus-malus, është një nga faktorët e riskut, të cilin shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë në tarifimin e sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit të mjetit motorik, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.

 

Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të siguruarve çertifikatën e historikut të dëmeve sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti” thuhet në projektligjin e ri. Më herët projektligji fillestar parashikonte se “sistemi bonus-malus është sistemi i cili zbatohet për përcaktimin e nivelit të primit të  sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të siguruarve certifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti.

 

Përfshirja e sistemit Bonus-Malus tek sigurimi i detyrueshëm motorik është një çështje që lakohet prej vitesh. Përfshirja e tij shihet si një mënyrë për të nxitur drejtimin e përgjegjshëm të automjetit duke pasur si efekt uljen e numrit të aksidenteve. Bonus-Malus ka në thelb filozofinë e vendosjes së primeve më të larta për drejtuesit e automjeteve me historik aksidentesh apo drejtues që marrin një automjet për herë të parë teksa shpërblen me prime më të ulëta sigurimi ata drejtues automjetesh që kanë historik jo problematik me aksidente./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat