Sejko zbardh dimensionet e krizes: Nga papunesia tek te ardhurat e familjeve
Pandemia Covid-19 dhe masat e nevojshme për kontrollin e saj, kanë dhënë një goditje të fortë mbi familjet dhe bizneset shqiptare gjatë tre muajve të fundit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë raportimi në Kuvend tha se, ekonomia shqiptare pritet të shënojë rënie gjatë vitit 2020, rënie e cila do të shoqërohet me rritje të papunësisë, me rënie të të ardhurave familjare, si dhe me përkeqësim të situatës financiare të bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje kërkoi një reagim të shpejtë dhe të gjithanshëm të autoriteteve publike, si në planin shëndetësor dhe në atë ekonomik e social. Krahas masave lehtësuese fiskale, Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë të plotë masash për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për sistemin bankar, për të nxitur kreditimin dhe për të kontrolluar kostot e shërbimit të borxhit. Sejko tha se, kjo paketë përfshin:
• uljen në 0.5% të normës bazë të interesit dhe furnizimin e pakufizuar me likuiditet të sistemit bankar;
• lehtësimin e përkohshëm të rregulloreve bankare, për të mundësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve të kredisë për klientët në vështirësi dhe ristrukturimin konsensual të kredive për klientët me perspektiva solide biznesi, duke ndihmuar financat e bizneseve dhe rritur shanset e tyre për mbijetesë;
• eliminimin e kostove të operimit të sistemit të pagesave elektronike, në përgjigje të rritjes së kërkesës për këtë lloj aktiviteti;
• rritjen e kapaciteteve operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me para fizike.
Ai tha se, në përgjigje të këtyre masave, tregjet financiare vazhdojnë të funksionojnë normalisht, me gjithë kërkesën e rritur të sektorit publik për financim dhe pasigurinë e shtuar në ekonomi. Po ashtu, ato mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të qeverisë shqiptare.
Guvernatori tha , se në planin ekonomik, masat e koordinuara fiskale, monetare dhe makroprudenciale, kanë zbutur pjesërisht efektet negative të pandemisë. Gjithsesi, sfidat që kemi përpara mbeten serioze. “Në gjykimin tonë, ekonomia shqiptare i ka premisat ta përballojë me sukses këtë goditje. Megjithatë, kjo kërkon që të gjithë aktorët publikë dhe operatorët e sektorit privat të marrin vendimet e duhura, në kohën e duhur dhe në mënyrë sa më të koordinuar. Përballimi i goditjes është brenda mundësive tona, nëse secili nga ne do të bëjë më të mirën dhe nëse do të vazhdojmë të garantojmë me prioritet stabilitetin monetar dhe financiar të vendit” tha ai./Burimi: Montior