Secondary Adv

Ofrimi i sherbimit universal: AKEP i jep autorizimin Postes Shqiptare per 5 vjet

Posta Shqiptare ka marrë për një 5-vjeçar të dytë, autorizimin për ofrimin e shërbimit universal, sipas një vendimi të miratuar nga AKEP më 30 qershor 2020. 

 

Vendimi nënvizon se Posta Shqiptare është e vetmja që plotëson kushtet e kërkuara për këtë shërbim aktualisht. Ligji gjithsesi thekson se ky autorizim mund t’i jepet më shumë se një kompanie nëse përmbushen kushtet. Në muajin prill, AKEP publikoi një analizë të përgjithshme të sektorit postar në vend, duke u ndalur në pjesën e tregut të të gjithë operatorëve si dhe qarkullimin në të ardhura që kishte secili prej tyre. Nga regjistri i ofruesve të shërbimeve postare evidentohet se deri më datë 29.01.2020 ishin gjithsej 16 ofrues shërbimi postar aktiv, që ofrojnë shërbime postare në Republikën e Shqipërisë. 

 

Sa i takon shërbimit universal postar, pjesën më të madhe të tregut e zotëron posta brenda vendit, e cila luhatet rreth 90% për vitet 2015-2018, duke u shoqëruar me një rënie të kësaj pjese në rreth 80% gjatë vitit 2019. Në vitin 2019, ishin 19.6 milionë dërgesa brenda vendit dhe 4.8 milionë dërgesa ndërkombëtare. Sipas ligjit, të drejtën për shërbimin universal e gëzon çdo përdorues dhe kjo duhet të bëhet me çmime të përballueshme në të gjitha pikat e aksesit në territorin shqiptar. 

 

Sipas AKEP, Posta Shqiptare është e vetmja që plotëson kushtet për shërbimin universal, ku ndër të tjera luajnë rol mbulimi më i madh i territorit me pika si dhe dhënia e aksesit për të gjithë qytetarët me çmime të lira. Në shërbimin jo universal postar, në postën brenda vendit, Posta Shqiptare SHA zotëron pjesën më të madhe të tregut, ndërsa në postën ndërkombëtare ndodh e kundërta, operatorët e tjerë zotërojnë tregun me mbi 60% të totalit të postës ndërkombëtare. 

 

Ndryshim ka pasur gjatë vitit 2019, kur Operatorët e tjerë kanë rritur pjesën e tregut, si për postën brenda vendit, ashtu edhe për postën ndërkombëtare. Referuar të dhënave zyrtare, tregu postar në vend ka një qarkullim prej 2.14 miliardë lekësh ku pjesën më të madhe e zë Posta Shqiptare me rreth 58% të tyre. Shifra i takon vitit 2018, pasi deri në prill kur u publikua analiza e tregut, të dhënat nuk ishin të disponueshme për 2019-n./Burimi: Montior


Më të lexuarat