Secondary Adv

Taksa per mjetet e perdorura: Miratohet vendimi per kompensimin e transportit te udhetareve

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, që i hap rrugë kompensimit të taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit të udhëtarve për vitin 2020. 

 

Sipas vendimit, në masën e kompensimit financiar përfshihen edhe gjobat e krijuara për detyrimet e vitit 2020, që lidhen me këtë taksë. Referuar dokumentit, përfitues janë të gjithë subjektet apo individët që shfrytëzojnë mjetet e transporti rrugor në pronësi, në bashkëpronësi ose me qira si dhe që ushtrojnë aktivitetin e transportit rrugor të udhëtarëve brenda vendit dhe pjesërisht jashtë territorit shqiptar, por me seli në vendin tonë. 

 

Më konkretisht përfitues janë të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtari nëpërmjet linjave të rregullta të transportit qytetës, rrethqytetës, ndërqytetës, shërbime të rastit (turistik brenda e jashtë vendit), ndërkombëtar të rregullt apo transport për personele. Por, referuar vendimit të gjithë ato subjekte që rezultojnë debitorë dhe nuk kanë kryer pagesën e kësaj takse për vitet paraardhëse nuk do të përfitojnë nga ky vendim, por ato mund ta marrin kompensimin në rast se shlyejnë detyrimet e parapambetura deri në datën 10 gusht 2020.

 

Ndërkohë që, ato subjekete që tashmë e kanë paguar taksën për vitin 2020, kompensimi do u bëhet vitin që vjen duke zbritur detyrimin e paguar. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në total janë 7204 mjete që do të përfitojnë nga ky vendim, ndërkohë që efekti financiar që kap vlerën e rreth 1.4 mln eurove do të përballohet nga ky institucion./Burimi: SCAN


Më të lexuarat