Secondary Adv

Shqiperia ben perjashtim nga vendet e Ballkanit: Papunesia ne nivelin e Europes

Papunësia mbetet një prej problemeve kryesore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një mesatare tre herë më të lartë se sa mesatarja e BE. 

 

Megjithatë, ekziston një përjashtim dhe ky përjashtim vjen nga Shqipëria. Në një raport të detajuar mbi rajonin tonë, “Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim” (OECD) skanon arritjet e çdo vendi në pothuajse çdo fushë, nga ekonomia, tek drejtësia, korrupsioni, mirëqeverisja dixhitale, shëndetësia, arsimi e shumë të tjera. Në fushën e ekonomisë, OECD ndalet në treguesit e 10-vjeçarit 2008-18. Përsa i përket papunësisë, me 12.2% (në 2018) Shqipëria klasifikohet si vendi me papunësinë më të ulët në rajon, ndjekur nga Serbia me 13.3% dhe Mali i Zi me 15.2%. 

 

Në Bosnje, papunësia arrin në 18.4%, në Maqedoninë e Veriut në 20.7% ndërsa në Kosovë 29.6%. Që prej atëherë, papunësia në Shqipëria ka vijuar të ulet, në 11.2% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar (INSTAT), e me një shifër aktuale prej 11.4%, që i përket tremujorit të parë të vitit aktual, ku rritja e lehtë influencohet nga efektet e tërmetit dhe COVID. Këto të dhëna e bëjnë Shqipërinë të jetë i vetmi vend në rajon që ka një mesatare papunësie të ngjashme me atë të një numri vendesh të rëndësishme në Bashkimin Europian. Sipas “Eurostat”, Greqia në janar 2020 ka një papunësi prej 16.5%, pak më të lartë se Spanja me 13.7%. 

 

Franca dhe Italia, dy prej vendeve më të mëdha të BE kanë një normë të ngjashme papunësie me vendin tonë, përkatësisht me rreth 9% dhe 10%. Në Europë, normën më të ulët të papunësisë e ka Republika Çeke, me 2%, ndjekur nga Polonia, 2.9%, Holanda 3% dhe Gjermania 3.2%. Përsa i përket rritjes ekonomike në 10-vjeçarin e fundit, me një rritje mesatare prej 2.72% në vit, Shqipëria është e dyta në rajon pas Kosovës (3.49%). Në këtë hark kohor, Serbia ka pasur rritjen më të ulët, me vetëm 1.19% vjetor. Në vlerësimin e OECD, të dhënat tregojnë gjithashtu se Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet ne defiçitin më të ulët buxhetor në Ballkanin./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat