Secondary Adv

Bashkia e Tiranes do hape nje treg te dyte shumice: Ja zona ku planifikohet

Bashkia e Tiranës do kryejë një studim fizibiliteti për të parë mundësinë e ngritjes së një tregu të dytë për shitjen me shumicë të produkteve bujqësore në kryeqytet.

 

Aktualisht, tregu më i madh i kësaj natyre është ai Agroushqimor dhe që operon si një treg privat. Në dokumentet ku kërkon gjetjen e një konsulenti që do të hartojë edhe studimin e fizibilitetit Bashkia e Tiranës nënvizon se reforma territorial i bashkangjiti bashkisë më të madhe në vend edhe 13 ish komuna rurale ku ka aktivitet bujqësor. “Zinxhiri i tregëtimit të produkteve bujqësore e blegtorale në Tiranë është i organizuar në dy forma: në Tregun Agroushqimor me shumicë Kashar i cili operon në mënyrë private dhe në 8 tregje publike me pakicë të administruara nga Bashkia Tiranë.

 

Grumbullimi dhe tregëtimi me shumicë i produkteve bujqësore dhe blegtorale të prodhuara në zonat rurale të Tiranës sikurse dhe në zonat e tjera të Shqiperise realizohet në Tregun Agro-ushqimor Kashar. Nisur nga ky fakt, është vënë re nevoja për ngritjen e një tregu të dytë shumice të këtyre produkteve i cili njëkohësisht do të mundësojë një lehtësim në daljen në treg të prodhuesve të zonave rurale të Tiranës si dhe jashtë saj”, thuhet në dokumentin e Bashkisë. 

 

Lidhur me këtë argumentohet se duke patur parasysh problematikat që lidhen me zinxhirin e tregëtimit të produkteve agro-ushqimore siç janë niveli i ulët i organizimit të prodhimit dhe shitjes së produkteve që vijnë nga zonat rurale të territorit të saj, shitjet direkte te konsumatori në një mënyrë jo të mirë-organizuar Bashkia ka ndërmarrë nismën e krijimit të një “Agregatori Bujqësor” me anë të të cilit synohet rregullimi i çështjeve të cituara sa më sipër si dhe të kënaqë në mënyrë të drejtëpërdrejtë kërkesat e grupeve të interesit të përfshira në këtë zinxhir. Agregatori do të do të jetë një strukturë multifunksionale që lehtëson grumbullimin, shpërndarjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore e blegtorale. 

 

Kjo strukturë do të përfshijë disa funksione:

Grumbullimi kryesisht i prodhimeve bujqësore e blegtorale;

Shpërndarja dhe tregtimi i produkteve bujqësore e blegtorale që vijnë kryesisht nga zonat rurale të Tiranës edhe më gjerë;

Ofrimi i shërbimeve si sistem ftohës, larje, paketim të produkteve për prodhuesit, grumbulluesit dhe konsumatorët, që sjellin vlerë të shtuar në zinxhirin e vlerës ushqimore

Krijimin e hapësirave lehtësuese për administrimin e agregatorit,

 

Ofrimin e shërbimeve të bareve, restoranteve etj, të cilat do të përdorin produktet e tregtuara në këtë strukturë. Për këtë nismë më herët me vendim të Këshillit Bashkiak është themeluar shoqëria “Tirana Agrikulturë” sh.p.k, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e zotëruar në masën 100 (njëqind) % të kapitalit të shoqërisë nga Bashkia e Tiranës, dhe e cila ka si objekt veprimtarie, ofrimin e shërbimeve në fushën e bujqësisë, blegtorisë, agrikulturës, si dhe grumbullimin dhe shitjen e këtyre produkteve. Zona ku parahsikohet të ngrihet tregu është në Farkë të Vogël. 

 

“Bazuar në të dhënat ekzistuese zyrtare dhe të marra në terren, Konsulenti do të analizojë mundësinë e ngritjes së një strukture komplekse të Agregatorit të propozuar, në kontekstin e balancimit të kostove dhe të ardhurave potenciale që mund të gjenerojë një strukturë e tillë. Kjo mundësi financiare do të trajtohet duke krahasuar produktin bujqësor-blegtoral të zonës së Tiranës (Ofertën) me kërkesën reale dhe atë potenciale për këto produkte. Në këtë mënyrë do të analizohet nëse ka mospërputhje midis ofertës për produkte dhe kërkesës, si dhe mënyrat se si mund të stimulohet balanca”, thuhet në dokumentin e Bashkisë s ai takon argumentimit të Studimit të Fizibilitetit./Burimi: Monitor


Më të lexuarat