Secondary Adv

Rinegociohet koncesioni i sterilizimit: Ulet tarifa per nderhyrjet

Ministria e Shëndetësisë ka përmbyllur një proces rinegocimi me kompaninë “Sani Servise” që zotëron koncesionin e sterilizimit me qëllim uljen e kostos së pagesave buxhetore.

 

Ministria e Financave bëri të ditur se pas negociatave u ra dakord me koncesionarin që për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit. Zbritja do të aplikohet duke filluar nga fatura përmbledhëse mujore për muajin në të cilin do të rezultojë dhe do të njoftohet nga koncesionari, tejkalimi i 63,000 ndërhyrjeve në vit. Në bazë të të dhënave të raportuara, lidhur me aktivitetin e financimit të kësaj kontrate, numri i ndërhyrjeve dhe vlera e rimbursuar e këtij shërbimi ka ardhur në rritje ndër vite.

 

Për vitin 2019 janë realizuar 63,269 ndërhyrje, ose rreth 99.5 për qind e planit vjetor të parashikuar (63,600 ndërhyrje) pa përfshirë paketimet me avull, që për të njëjtën periudhë janë 70,029. Ky projekt financohet tërësisht me fonde publike sipas metodës (pay and use) në varësi të numrit të pacientëve të cilët do të duhet të marrin shërbimin. Për shkak se në këtë lloj shërbimi nuk mund të parashikohet me saktësi risku i kërkesës, atëherë mund të implikohet kosto shtesë për buxhetin në rast të tejkalimit të numrit të pacientëve.

 

Si pasojë e këtyre zhvillimeve në vitin 2019 detyrimet akumuluara tw qeverise ndaj kompanisë Sani Servis arritën në 609 milionë lekë ose më shumë se 5 milionë euro. Koncesioni i sterilizimit është propozim i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, i nënshkruar në vitin 2015 me shoqërinë koncesionare ‘Sani Service sh.p.k,” dhe ka si qëllim menaxhimin e qendrës së sterilizimit, ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ku do të ofrohet ky shërbim. 

 

Projekti shtrihet në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe spitalet bashkiakë. Shërbimi kryhet pranë sallave kirurgjikale, ambienteve ku ka aktivitet kirugjikal, mikrokirurgjikal, ambulator dhe urgjencat e spitaleve universitare dhe rajonale. Por kontratat koncesionare në shëndetësi të lidhura pas vitit 2014 janë pa studime të qarta fizibiliteti dhe në këtë mënyrë, lënë shtigje të hapura për rritjen e financimeve në periudhat e mëvonshme. Për shembull, kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i operacioneve të zhvilluara para vitit 2014 rreth 60 mijë.

 

Por me plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundshmërisë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Më 2018, në të gjithë vendin, u kryen rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore. INSTAT raportoi se në vitin 2018 u bënë rreth 8 mijë operacione më shumë se në vitin 2017. Për pasojë, pagesat ndaj kompanisë koncesionare, Sani Servise mw 2018 ishin mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pohuar se janë akumuluar mbi 5 milionë euro detyrime ndaj kompanisë që ofron sterilizimin me PPP.

 

Në buxhetin e vitit 2020 ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018. Vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 % në harkun e dy viteve. Koncesioni, i cili nisi në vitin 2015 dhe do të përfundojë në vitin 2025, do të financohet me më shumë se 1.6 miliardë lekë në vit, teksa kontratat e hartuar pa studim fizibiliteti shfaqi defekt që në vitet e para të saj.

 

Në 2018-2019, faturoi sa 36% e parashikimit fillestar për 10 vjet

Sipas raportit vjetor të Saniservice, gjatë vitit 2019, numri i total i ndërhyrjeve të kryera në përputhje me kushtet kontraktuale ishte 63,585 në krahasim me një total prej 90,075 ndërhyrjesh të kryera gjatë vitit 2018. Gjithashtu, faturimi total gjatë vitit 2018 ishte 1.92 miliardë lekë, në krahasim me 1.69 miliardë lekë në vitin 2019. 

 

Nga të dhënat e bëra zyrtare në raportin vjetor, rezulton se vetëm në 2 vjet, koncesionari ka faturuar buxhetin për një shumë prej 3.6 miliardë lekësh, që është e barabartë me 36% të vlerës së parashikuar fillestare të kontratës për periudhën 10-vjeçare. Pas rritjes së pagesave në 2018-n, si rrjedhojë e shtimit të ndërhyrjeve, Ministria e Shëndetësisë dha urdhër për kufizimin e operacioneve, duket që e dha efektin në vitin 2019./Burimi: Monitor


Më të lexuarat