Secondary Adv

32 kompani zene mbi 52 per qind te kredive te keqija ne banka

 

I shndërruar ndoshta në ngërçin kryesor që po mban peng ekonominë, problemi i kredive të këqija më shumë se masiv rezulton një fenomen i përqëndruar tek një grusht biznesesh.


Një statistikë e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon që më shumë se gjysma e kredive të këqija në shkallë vendi u përkasin vetëm 35 kompanive apo grupeve tregtare. Sipas burimeve nga Banka, këto subjekte zënë 52.16 për qind të totalit të kredive të pakthyera.E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se së bashku, këto 35 grupe tregtare kanë mbi 66 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të pakthyera në sistem, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare.


Falimenti
Me asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare ka lajmëruar një plan të përgjithshëm për uljen e kredive të këqija, i cili përfshin një sërë institucionesh, por edhe ndryshimin e disa ligjeve apo procedurave. Një ndër to, i kërkuar me ngulm nga FMN dhe Banka Botërore, është ndryshimi i ligjit të falimentit për ta bërë atë më funksional. Burime nga BSH thanë për “Top Channel” se, “trajtimi i këtyre 35 kompanive do të jetë një nga pikat kryesore të planit për zgjidhjen e kredive të pashlyera”. Ndërkaq, të dy institucionet, si Ministria e Financave ashtu dhe Banka e Shqipërisë, në më shumë se një rast kanë deklaruar se janë të vendosura për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë ngërçit të kredive problematike.


Rreziku
Në dhjetor 2014, raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin 22.8% nga 24.1% në qershor 2014. Stoku i kredive me probleme ra gjatë vitit 2014, në 135.7 miliardë lekë ose me 0.5%, ndërkohë që rritja vjetore e tij shënoi 1.9% nga 2.5% në dhjetor 2013. Gjatë vitit 2014, rritja e kredisë vlerësohet në nivelin 5%. Për kredinë në lekë, raporti i kredive me probleme shënoi vlerën 17.5%, duke u ngushtuar me 1.3 pikë përqindje gjatë gjashtëmujorit dhe me 2.2 pikë përqindje për gjithë vitin. Për kredinë në valutë, ky tregues rezultoi 26%, me një rënie gjashtëmujore prej 1.3 pikë përqindje dhe me një zgjerim të lehtë vjetor prej 0.3 pikë përqindje.


Portofoli
Brenda strukturës së kredive me probleme, vazhdon migrimi gradual drejt kategorisë “të humbura”. Në dhjetor 2014, kreditë e klasifikuara si kredi “të humbura” përbëjnë rreth 52% të kredive me probleme. Gjithsesi, zgjerimi i kredive të humbura gjatë vitit 2014 ka qenë shumë më i ulët (2 pikë përqindje) krahasuar me vitin 2013, ku kategoria e kredive “të humbura” u zgjerua me 15.5 pikë përqindje në strukturën e kredive me probleme. Sektori bankar vijon të ruajë ekspozim të lartë ndaj rrezikut të kredisë për portofolin e kredisë afatmesme, kredisë së akorduar në valutë dhe kredisë për subjektet private. Në dhjetor 2014, pesha e kredive me probleme në këto portofola ishte përkatësisht 27%, 26% dhe 27%.


Fshirja nga regjistri
Ndërkaq, bankat janë treguar aktive në procesin e fshirjes së kredive të humbura. Gjatë vitit 2014, 12 nga 16 banka të sektorit kanë kryer fshirje ose transferim të portofolave të humbura nga bilancet e tyre. Në dhjetor 2014, mbulimi me kolateral, një faktor i rëndësishëm i mbrojtjes ndaj rrezikut të kredisë, është në nivelin 73%, në rënie referuar nivelit në qershor 2014 (79%) dhe dhjetor 2013 (78%). Kjo sjellje reflekton ecurinë e kreditimit drejt kredisë overdraft (për qëllime financimi afatshkurtër), ku prirja për kolateralizim është më e ulët. Në totalin e kredive të kolateralizuara, kreditë që kanë si kolateral pasuri të paluajtshme, zënë 60%. Edhe pse në nivel të kënaqshëm mbulimi, sektori bankar mbetet i varur ndaj mirëfunksionimit të tregut të pasurive të paluajtshme, si dhe ndaj procesit të ekzekutimit të kolateralit.


Më të lexuarat