Lehtesira per bizneset qe investojne mbi 50 milione euro ne Shqiperi
Kuvendi miratoi projektligjin “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” që krijon lehtësi dhe favorizime për sipërmarrësit që kanë projekte me vlera të mëdha.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, theksoi se ky projektligj synon lehtësi shumë të madhe për investitorët të cilët sjellin në Shqipëri mbi 50 milionë euro.
“Jep një lehtësi shumë të madhe për një investitor që investon mbi 50 milionë euro. U jepet mundësi investitorëve strategjikë, ta kthejnë kontratën e tyre ligj. E ngre sigurinë juridike të investitorëve në nivelin maksimal. Për herë të parë do të ketë zona të lira ekonomike. Jemi duke iu përgjigjur konkurrencës së rajonit. Nuk do të paguajnë taksë për infrastrukturën. Zonat ekonomike të lira, do të sjellin 2% rritje ekonomike dhe 25 mijë vende pune plus”,- tha Ahmetaj.
Ndërsa deputeti Erjon Braçe theksoi se ky është një prej katër projektligjeve që synojnë rritjen ekonomike në Shqipëri. “Natyrisht ligji vjen për herë të parë. Ky ligj është i duhuri dhe i domosdoshmi në këtë moment për ekonominë kombëtare, ndërkohë që kemi arritur stabilitetin e parametrave makroekonomikë të ekonomisë kombëtare dhe është momenti i duhur për të thirrur investitorët e huaj në këtë vend”,- tha Braçe.
Opozita kundërshtoi pjesën e projektligjit që flet për shpronësimet. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj tha se ky projektligj nuk mund të miratohet pasi sanksionon se shteti mund të shpronësojë pronarët e tokës për interes publik nëse pronari i tokës nuk bie dakord me investitorin e huaj për vlerën e pronës që zotëron. “Qartësisht është një mënyrë antikushtetuese përmes së cilës qeveria kërkon të ndërhyjë në një treg të lirë të kërkesë-ofertës”,- tha Tabaku.
Ky shqetësim është ngritur edhe gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare. Në Komisionin e Ligjeve u riformulua neni 26, sipas të cilit, “shpronësimi për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, mund të bëhet vetëm për shkaqet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për shpronësimin për interes publik, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin e pasurisë së paluajtshme, pasi janë kryer më parë përpjekjet përmes instrumenteve të lehtësimit të aksesit në tokë nga investitori dhe/ose ristrehimit nga shteti.
Gjithashtu u vendos kusht që kompensimi i të shpronësuarit të bëhet nga investitori i interesuar. Ky projektligj u votua me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Gjithashtu, Kuvendi shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9789, datë 19.7.2007 “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”.
Deputeti Anastas Angjeli tha se nëpërmjet këtij projektligji synohet që të nxiten më shumë investitorë në vendin tonë. “Në këtë situatë hartohet një ndryshim rrënjësor i ligjit dhe instrumenteve mbështetës për vënien në zbatim të këtij ligji. Më konkretisht ligji për zonat ekonomike i propozuar nga qeveria konsiderohet si një ofertë konkurruese krahasuar me vendet e rajonit dhe i shërben rritjes së nivelit të investimeve të huaja në vendin tonë. Qëllimi i investimeve të propozuara përmes këtij ligji janë realizimi dhe zbatimi i projekteve të rëndësishme për investime në të gjitha fushat e ekonomisë, në një kohë sa më të shpejtë dhe me një kosto sa më të ulët të biznesit”,- tha Angjeli.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, kundërshtoi duke u shprehur se masat e propozuara nga qeveria nuk janë realiste. “Ndryshimet në ligjin për zonat ekonomike në fakt përbëjnë një varietet të ri të qeverisë për të sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit publik se qeveria është e interesuar dhe po merr masa për t’i dhënë një zhvillim për të mbështetur një trend më pozitiv të ekonomisë shqiptare, ku në të vërtetë masat e propozuara janë thjesht virtuale”,- tha Bode. Më tej ish-ministri i Financave kritikoi ngritjen e tatimfitimit, i cili sipas tij i largon investitorët e huaj. Projektligji u miratua me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më të lexuarat






