Secondary Adv

Fiskalizimi nga 1 janari: Ja subjektet qe duhet te leshojne fatura elektronike

Nga 1 Janar 2021, organet publike do jenë në gjendje të marrin dhe përpunojnë fatura elektronike në përputhje me standartin europian EN.16931, njoftoi DPT.

 

“Përcaktimi si fazë fillestare për detyrimin e organeve publike nuk është i paqëllimtë. Ne jemi të bindur se ky proces do të nisë dhe do të jetë shtysë për përdorimin dhe në sektorin privat B2B apo B2C”, thuhet në njoftim. Fiskalizimi i faturave ka efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e Republikës së Shqipërisë, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë. Ato do të kenë menaxhim më të mirë të stafit të burimeve njerëzore duke digjitalizuar proceset e punës.

 

Fiskalizimi kontribuon gjithashtu në uljet e kostove të biznesit, pasi zgjidhjet Software-ike që do të përdoren në këtë proces, janë inovacion në fushën e teknologjisë që ofrojnë shërbime me kosto të ulët, përfundon njoftimi. Nga 1 janari, të gjitha bizneset që kanë marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë vetëm faturë elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor, në bazë të ligjit të ri për fiskalizimin. Ky është hapi i parë për vënien në funksionim të sistemit të ri të fiskalizimit, i cili do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si bizneset sot kryejnë faturimet.

 

Më herët, tatimet kanë njoftuar subjektet që kanë marrëdhënie me organet publike se nga 1 janari do të lëshojnë vetëm fatura online. “Në kuadër të procesit të fiskalizimit, Administrata Tatimore ka kryer analiza dhe verifikime të nevojshme për t’i paraprirë zbatimit të mënyrës së re të faturimit. Nga këto verifikime, rezulton që, gjatë periudhës janar 2019 – gusht 2020, Ju keni kryer të paktën një furnizim kundrejt tatimpaguesve Ent Publik.

 

Në zbatim të nenit 48, të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, ju bëjmë të ditur se, duke filluar nga data 1 janar 2021, për furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve të kryera për Entet Publike, Ju do të lëshoni vetëm faturën elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor”, thuhet në njoftimin e dërguar subjekteve. Nga 1 korriku 2021, sistemi i ri do të fillojë të zbatohet për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve, dhe nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm është ndryshimi më i madh, pasi do të nisë zbatimi për transaksionet me para në dorë për të gjitha bizneset./Burimi: Monitor


Më të lexuarat