Secondary Adv

Kartat e kreditit: Tregu i perqendruar, 2 banka zoterojne 78 per qind te totalit

Tregu i kartave të kreditit në Shqipëri mbetet i vogël dhe shumë i përqendruar. 

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit shtator numri i kartave të kreditit është rreth 111 mijë. Numri i kartave të kredititi paraqitet në stanjacion gjatë këtij vitit. Ky segment i tregut e ka ndjerë shumë efektin e krizës, që ka sjellë rënie të numrit të tyre për herë të parë në 13 vjet. Kërkesa për karta krediti duket se është ndikuar ndjeshëm nga pakësimi i daljeve jashtë vendit dhe rrjedhimisht pagesave për bileta, hotele dhe shpenzime qëndrimi. Megjithatë, edhe përtej efektit të krizës, kartat e kreditit ngelen një produkt me potencial të pashfrytëzuar në tregun shqiptar.

 

Jo më shumë se 5% e shqiptarëve në moshë madhore kanë një kartë krediti. Ekonomia karakterizohet nga një përdorim i lartë të parasë cash dhe anketimet kanë treguar se konsumatorët i kryejnë rreth 96% të pagesave me para fizike. Si instrument kreditor, karta e kreditit në Shqipëri ngelet relativisht e shtrenjtë krahasuar me produktet e tjera të kredisë konsumatore. Aktualisht, normat e interesit fillojnë nga rreth 15%, përveç komisioneve fikse vjetore dhe komisioneve të lidhura me kryerjen e transaksioneve Sipas bankierëve, interesi më i lartë i kartave kreditit lidhet kryesisht me faktin se ato klasifikohen si produkt me rrezik më të lartë.

 

Ndërkohë, disa të dhëna të raportuara nga bankat përmes Shoqatës Shqiptare të Bankave japin për herë të parë një tablo për ndarjen e këtij tregu mes bankave tregtare. Sipas këtyre të dhënave, numri total i kartave të kreditit në fund të vitit të kaluar rezultonte rreth 140 mijë, ndjeshëm më i lartë krahasuar me atë që raporton Banka e Shqipërisë dhe që ndoshta mund të lidhet me klasifikimin e ndryshëm që bankat iu bëjnë produkteve të caktuara. Megjithatë, ajo që bie në sy është një shkallë tejet e lartë përqendrimi. Në fund të vitit të kaluar, BKT (53%) dhe Raiffeisen (25%) zotëronin pothuajse 78% të tregut, sipas numrit të kartave të lëshuara.

 

Ndër bankat e tjera, e para është Alpha Bank me 5% pjesë tregu, e ndjekur nga Union Bank me 4.6% dhe Credins Bank me 4.2%. BKT dhe Raiffeisen mund të kenë një avantazh konkurrues falë bazës së gjerë të klientëve që kanë, por ky faktor nuk shpjegon i vetëm konkurrencën e ulët në këtë treg. Ka edhe banka të përmasave të mëdha, si Intesa Sanpaolo, raportojnë më pak se 600 karta krediti aktive. Përqendrimi i lartë i tregut dhe fakti që disa prej bankave kanë numra pothuajse simbolike tregon se jo të gjithë aktorët kanë fokus të lartë biznesi në këtë produkt.

 

Tregu ka përqendrim të konsiderueshëm edhe në ofrimin e terminaleve elektronike të shitjes për pranimin e pagesave me kartë. Edhe në këtë segment, tregu dominohte nga BKT me 57% të numrit total të POS-eve, e ndjekur nga Alpha Bank dhe Credins Bank me 12% dhe Raiffeisen Bank me 11%. Shërbimi i pranimit të pagesave me POS-e ofrohet nga shtatë prej 12 bankave tregtare të licencuara. Vitin e kaluar, shqiptarët kryen rreth 5 milionë pagesa me kartë në terminale POS, për një vlerë totale prej 26.2 miliardë lekësh ose rreth 211 milionë eurosh./Burimi: Monitor


Më të lexuarat