Paketa fiskale 2027: TVSH 6 për qind për ushqimet dhe 21 për qind për produktet e tjera
Qeveria propozon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë në 6 për qind dhe rritjen e normës standarde në 21 për qind.

Për herë të parë në Shqipëri synohet të aplikohet një normë e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet e shportës ushqimore. Në paketën fiskale 2027, qeveria propozon uljen e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20 në 6 për qind, ndërsa paralelisht parashikon rritjen e normës së përgjithshme nga 20 në 21 për qind dhe të normës së reduktuar për sektorin e turizmit nga 6 në 10 për qind.
Ndryshimet janë përfshirë në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe synojnë të lehtësojnë barrën tatimore për produktet ushqimore bazë, duke kompensuar një pjesë të efektit në të ardhurat buxhetore përmes rritjes së normave të tjera të TVSH-së.
TVSH 6 për qind për produktet e shportës ushqimore
Sipas propozimit, norma e reduktuar prej 6 për qind do të zbatohet për një kategori produktesh të konsumit të përditshëm, ku përfshihen buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.
Lista e detajuar e produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar parashikohet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndryshimi synon uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, një kërkesë e vazhdueshme e prodhuesve vendas të mallrave të konsumit dhe importuesve.
“Ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare”, theksohet në relacionin e projektligjit.
Norma e përgjithshme e TVSH-së propozohet të rritet në 21 për qind
Krahas lehtësimit fiskal për ushqimet bazë, projektligji parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20 në 21 për qind. Sipas relacionit, kjo masë synon të kompensojë pjesërisht uljen e të ardhurave buxhetore që do të shkaktohej nga aplikimi i normës së reduktuar për produktet e shportës ushqimore.
“Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhoje e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik”, vlerësohet në relacion.
Kontabilistët pohuan për Monitor se rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së do të prekë një numër të madh sektorësh të ekonomisë, përfshirë transportin, materialet e ndërtimit dhe turizmin.
Turizmi, TVSH-ja propozohet të rritet nga 6 në 10 për qind
Ndryshime parashikohen edhe për sektorin e turizmit, ku norma e reduktuar e TVSH-së propozohet të rritet nga 6 në 10 për qind. Prej vitit 2017, për sektorin e turizmit aplikohet norma e reduktuar prej 6 për qind, ndërsa propozimi i ri synon rishikimin e këtij trajtimi fiskal.
Rritja e normës së TVSH-së për turizmin pritet të sjellë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, por njëkohësisht do të rrisë barrën tatimore për shërbimet që aktualisht përfitojnë nga norma e reduktuar.
Efekti në buxhet, 1.6 miliardë lekë më pak të ardhura
Sipas përllogaritjeve që shoqërojnë projektligjin, miratimi dhe zbatimi i ndryshimeve të propozuara parashikohet të sjellë një efekt financiar negativ në buxhetin e shtetit prej rreth 1.6 miliardë lekësh.
Rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20 në 21 për qind vlerësohet të ketë një efekt pozitiv prej rreth 10.6 miliardë lekësh në të ardhurat buxhetore. Nga ana tjetër, ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore në 6 për qind parashikohet të sjellë një efekt negativ prej rreth 12.8 miliardë lekësh.
Ndërkohë, rritja e normës së reduktuar të TVSH-së për sektorin e turizmit nga 6 në 10 për qind vlerësohet të gjenerojë rreth 614 milionë lekë të ardhura shtesë. Në total, efektet e këtyre tre ndryshimeve rezultojnë në një ulje neto të të ardhurave buxhetore prej rreth 1.6 miliardë lekësh.
Paketa fiskale 2027 synon kështu të ndryshojë strukturën e tatimit mbi konsumin, duke ulur barrën fiskale për ushqimet bazë dhe duke e rritur atë për produktet dhe shërbimet që do t'i nënshtrohen normës standarde ose normës së re të reduktuar për turizmin. Ndryshimet mbeten në fazën e propozimit dhe zbatimi i tyre varet nga miratimi i projektligjit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)