TVSH për bizneset, pragu ulet në 5 mln lekë nga 2027, në skemë shtohen 17,5 mijë subjekte
Paketa fiskale 2027 propozon përgjysmimin e pragut të TVSH-së, duke përfshirë 17,516 biznese të reja në skemë.

Qeveria propozon ndryshime të rëndësishme në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për bizneset, në kuadër të paketës së re fiskale 2027.
Duke nisur nga 1 janari 2027, pragu i regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në parashikohet të ulet nga 10 milionë lekë, që është aktualisht, në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, kjo masë pritet të përfshijë rreth 17,516 tatimpagues të rinj në skemën e TVSH-së.
Aktualisht, bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 milionë lekë janë të detyruara të regjistrohen në skemën e TVSH-së, ndërsa subjektet me qarkullim mbi 5 milionë lekë mund të zgjedhin regjistrimin vullnetar, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Me ndryshimet e propozuara, regjistrimi do të bëhet i detyrueshëm për bizneset që tejkalojnë pragun e ri prej 5 milionë lekësh në vit.
Propozimi është përfshirë në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”’, të ndryshuar”. Sipas relacionit, ulja e pragut synon formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së.
Pragu i TVSH-së përgjysmohet, çfarë ndryshon për bizneset?
Në relacionin shoqërues të projektvendimit sqarohet se kufiri minimal i regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në, i përcaktuar në nenin 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 953/2014, është 10 milionë lekë që prej janarit të vitit 2021. Përjashtim bëjnë disa kategori profesionesh, si noterët dhe përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë dhe privatë, për të cilët kufiri minimal i regjistrimit është zero, pavarësisht qarkullimit vjetor.
Ndërkohë, kufiri prej 5 milionë lekësh qarkullim vjetor përdoret aktualisht për regjistrimin në skemën e TVSH-së me të drejtë zgjedhjeje nga tatimpaguesit. Projektvendimi propozon që ky nivel të kthehet në pragun e ri të detyrueshëm të regjistrimit.
Sipas qeverisë, ndryshimi synon të afrojë sistemin shqiptar të TVSH-së me praktikat e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Në relacion theksohet se Shqipëria aplikon aktualisht një kufi minimal regjistrimi prej 10 milionë lekësh në vit, ose rreth 108,696 euro, nivel që vlerësohet ndjeshëm më i lartë se pragjet e regjistrimit të TVSH-së në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në disa vende anëtare të BE-së.
17,516 tatimpagues të rinj në skemën e TVSH-së
Ulja e pragut të regjistrimit nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor pritet të sjellë përfshirjen e rreth 17,516 tatimpaguesve të rinj në skemën e TVSH-së. Sipas relacionit, masa synon rritjen e formalizimit të aktivitetit ekonomik, përmirësimin e transparencës fiskale dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve.
“Ulja e kufirit minimal të regjistrimit synon rritjen e formalizimit të aktivitetit ekonomik dhe krijimin e një kuadri fiskal më gjithëpërfshirës dhe transparent, nëpërmjet formalizimit të mëtejshëm të zinxhirit të transaksionit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe zgjerimit të mëtejshëm të bazës së tatimpaguesve”, theksohet në relacionin e projektvendimit.
Në përcaktimin e pragut të ri prej 5 milionë lekësh, sipas dokumentit, është marrë në konsideratë edhe struktura e bizneseve të vogla në vend. Qeveria argumenton se ky kufi synon të mbajë jashtë detyrimit për regjistrim në TVSH bizneset kryesisht familjare dhe subjektet që ushtrojnë aktivitetin vetëm me një të vetëpunësuar.
Efekt pozitiv prej 4.5 miliardë lekësh në të ardhurat buxhetore
Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacionin shoqërues, miratimi dhe zbatimi i projektvendimit pritet të sjellë një efekt pozitiv prej rreth 4.5 miliardë lekësh në të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Ky efekt financiar lidhet me zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së dhe formalizimin e mëtejshëm të transaksioneve të mallrave dhe shërbimeve. Për bizneset që do të kalojnë pragun e ri, ndryshimi do të nënkuptojë përfshirjen në detyrimet përkatëse të regjistrimit dhe administrimit të TVSH-së.
Projektvendimi parashikohet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet e tij do të fillojnë më 1 janar 2027. Deri në miratimin përfundimtar, pragu i regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në mbetet 10 milionë lekë qarkullim vjetor, sipas rregullave aktuale.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)