Secondary Adv

Shoqata ProEksport kundër paketës fiskale: Po humbasim vende pune, qeveria të reflektojë

ProEksport kërkon konsultime me qeverinë për paketën fiskale 2027, duke paralajmëruar pasoja për prodhimin dhe punësimin.

Shoqata ProEksport Albania kundërshton rritjen e taksave të propozuara në paketën fiskale 2027 dhe i kërkon qeverisë të konsultohet me përfaqësuesit e biznesit përpara miratimit të ndryshimeve.


Shoqata, e cila përfaqëson industrinë e veshjeve dhe këpucëve, me mbi 50 mijë të punësuar, shpreh shqetësimin se masat e reja fiskale do të rëndojnë më tej sipërmarrjet e një sektori që prej vitesh përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës.


Në qendër të kundërshtimeve janë propozimet për rritjen e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Sipas ProEksport Albania, këto ndryshime përbëjnë një barrë shtesë për bizneset prodhuese, në një periudhë kur industria ka nevojë për politika mbështetëse që nxisin investimet, eksportet dhe punësimin.


Në komunikatën e firmosur nga kryetari i shoqatës, Edvin Prençe, theksohet gjithashtu se lehtësimi i propozuar i tatimit mbi pagat nuk prek segmentin e pagave minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punonjësve të industrisë së veshjeve dhe këpucëve. Sipas shoqatës, pikërisht në këtë kategori do të ishte më e nevojshme ndërhyrja për uljen e barrës tatimore.


ProEksport: Rritja e taksave rëndon industrinë prodhuese


Shoqata kërkon që institucionet të analizojnë ndikimin e ndryshimeve fiskale mbi sektorët prodhues dhe të shmangin vendimmarrjet pa konsultim me biznesin. Në reagimin e saj, ProEksport Albania thekson se industria e veshjeve dhe këpucëve ka nevojë për masa që mbështesin automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, në vend të rritjes së mëtejshme të barrës fiskale.


ProEksport Albania kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit. Shoqata nënvizon se nuk është kundër reformave fiskale, por kundërshton vendimet që merren pa vlerësuar pasojat e tyre mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.


Komunikata e plotë e Shoqatës ProEksport Albania


“Propozimet e reja të Paketës Fiskale 2027 kërkojnë një diskutim serioz me përfaqësuesit e biznesit përpara miratimit të tyre. Kërkojmë që të mos përsëritet praktika e vendimmarrjeve të njëanshme, siç ka ndodhur në vitet e mëparshme, pa një konsultim real dhe pa analizuar ndikimin në sektorët prodhues.


Rritja e propozuar e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe pothuajse dyfishimi i tatimit mbi dividendin, nga 8% në 15%, përbëjnë një barrë shtesë për sipërmarrjet. Ndërkohë, lehtësimi i tatimit mbi pagat nuk prek segmentin e pagave minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punonjësve të industrisë sonë dhe ku, sipas nesh, ndërhyrja ishte më e nevojshme.


Pyetja jonë është e thjeshtë: Ku janë politikat mbështetëse për industrinë prodhuese të veshjeve dhe këpucëve?


Prej vitesh ky sektor përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës. Në vend të masave që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, po diskutojmë rritje të mëtejshme të barrës fiskale.


Shoqata ProEksport Albania, si organizata përfaqësuese e vetme e industrisë së veshjeve dhe këpucëve, një sektor që ka mbi 50 mijë të punësuar, kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit.


Nuk jemi kundër reformave fiskale, por kundër vendimeve që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin.

Institucionet duhet të kuptojnë se një sektor që prej kohësh ndodhet në vështirësi serioze ekonomike nuk ka nevojë për rëndim të mëtejshëm të situatës, por për politika që garantojnë mbijetesën, transformimin dhe konkurrueshmërinë e tij.”


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat